DR. HAJRULLAH MUSTAFA
Muzeu i qytetit të Mitrovicës
Me trego bibliotekën e një populli që të shoh fytyrën e shkencës, arsimit dhe kulturës së atij populli”
(Specialist i Bibliotekarisë)
Bazuar në faktin se secili individ posedon të drejtën elementare që të jetë sa më i informuar për të gjitha rrjedhat në rrethin dhe shoqërinë përkatëse, ai duhet të mësojë gjatë gjithë jetës, dhe kjo mund të bëhet vetëm duke pasur qasje permanente në burime të informacionit. Të dish dhe të kesh qasje në histori, traditë e kulturë është nevojë imediate – të dish dhe të kesh qasje në histori, traditë, dhe kulturë si pjesë e civilizimit bashkëkohorë. Për t’u pajisur me informacione, individi, përkatësisht komuniteti, u drejtohet institucioneve të cilat kanë misionin e tyre në grumbullimin, ruajtjen dhe ofrimin e informacioneve të kërkuara nga publiku i gjerë. Në këtë aspekt, rol dhe rëndësi shumë të madhe kanë arkivat, bibliotekat, muzetë, qendrat kulturore e dokumentare, e institucione të tjera relevante.
Tani po jetojmë në një realitet që po quhet edhe epokë e teknologjisë informative, ku përbrenda këtyre institucioneve kemi koleksione shumë të mëdha të librave dhe materialeve tjera, burime të pafund elektronike, kanale të reja të akcesit të informacionit, të cilat gjithsesi se dukshëm e kanë ndryshuar mënyrën tradicionale të ofrimit të informacioneve, por edhe duke e bërë shumë më komplekse mënyrën e komunikimit të komunitetit me dijet. Gjithsesi kjo shtron nevojë dhe prioritet që brenda këtyre institucioneve të kemi punonjës shumë të ngritur profesionalë, të cilët jo vetëm që do të përcjellin të gjitha këto rrjedha dinamike të kohës, por me punën dhe angazhimin e tyre të jenë pjesë e ndryshimeve dhe transformimeve të shpejta shoqërore.
Në këtë drejtim bibliotekat publike të niveleve të ndryshme luajnë rolin dominant në ofrimin e shërbimeve të informacioneve tek përdoruesit duke iu siguruar qasje, në radhë të parë në dokumente të cilat i posedojnë, por edhe qasje në një mori koleksionesh dhe informatash nga burime të tjera. Bibliotekat publike gjithmonë duhet të jenë në shërbim të bashkësisë duke pasur përgjegjësi për mbledhjen dhe organizimin e burimeve informative, me karakter lokal, çdoherë duke u fokusuar në:
Historinë e bashkësisë dhe individëve të veçantë;
Probleme sociale dhe demografike;
Veprimtaritë e institucioneve të ndryshme arsimore, shëndetësore, kulturore, si dhe veprimtari të biznesit, tregtisë, transportit, të njësisë administrative ku gjendet biblioteka;
Informacion për organizatat joqeveritare dhe agjenci të ndryshme;
Informacion për mjedisin urban.
Dokumentacioni është memorie e kohës dhe bazë për shkruarjen e historisë së mirëfilltë. Pa dokumentacion nuk ka histori. E kaluara historike e një vendi ose populli në mënyrë reale dhe të argumentuar mund të shpjegohet, shtjellohet, dhe prezantohet vetëm nëse për atë periudhë historike ekzistojnë dokumente dhe fakte të shkruara, historike, ku argumentohet dhe publikohet e vërteta shkencore. Ndërsa kjo pasurohet duke mbledhur, ruajtur, dhe mbrojtur trashëgiminë kulturore. Vetëm një popull i cili me përkushtim të madh arrin ruajtjen e trashëgimisë kulturore, arrin të forcojë dhe pasurojë identitetin kulturor, dhe kjo për arsye se bëhet gërshetimi i lidhjes me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Gjithsesi se kjo konsiderohet si pasqyrë dhe kujtesë e tij.
Jemi dëshmitarë se për shkaqe të ndryshme, si natyrore apo edhe aksidentale, një pjesë e konsideruar e kësaj trashëgimie kulturore zhduket dhe shkatërrohet, prandaj kërkohet angazhim dhe përgjegjësi e madhe për sigurimin dhe ruajtjen e kësaj pasurie brenda mureve të institucioneve. UNESCO në vitin 1992, në kuadër të misionit të saj, krijoi një program të ri i quajtur “Kujtesa e Botës”, i përkrahur nga Programi i Përgjithshëm i Informacionit (PGI), i cili fokusohet në mbrojtjen e trashëgimisë së rrezikuar. Ky program kishte për qëllim krijimin e mundësive të reja të mbrojtjes së saj, demokratizimin e mundësisë së përdorimit të saj, si dhe shpërndarjen e informacioneve. Pra, objektiva primare e programit është ruajtja e pasurisë së shkruar me dorë, të shtypur dhe audio-vizuele, rritjen e përgjegjësisë së shteteve, me mundësi sa më të mëdha të përdorimit të kësaj trashëgimie përmes zbatimit të teknologjisë së përshtatshme.
Kjo mund të realizohet vetëm duke ruajtur materialet origjinale në kushte sa më të mira dhe përdoruesi të ketë mundësi të shfrytëzojë riprodhime të tyre në forma të ndryshme dhe me cilësi të lartë, si CD-ROM, shirita, video disqe, mikrofilma, etj. Me fjalë tjera, ky program mundohet që të ngritë vetëdijen tek shtetet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duke vënë në disponim mundësitë e tyre (buxhetin dhe tërë potencialin tjetër) të përkrahen aktivitetet e organizatave profesionale, lokale, kombëtare, e ndërkombëtare, për të stimuluar dhe implementuar iniciativat e ndryshme.
Pikërisht këtu qëndron roli dhe misioni kyç i bibliotekave, arkivave, muzeve, dhe institucioneve tjera të ngjashme, ngase historia e një kombi nuk mund të njihet, të shkruhet, e të rishkruhet, madje as të vlerësohet pa thesarin e trashëgimisë që ndodhet dhe ruhet në kuadër të këtyre institucioneve.
Fatkeqësisht Kosova nuk ka ndonjë traditë të lakmueshme sa i përket grumbullimit dhe ruajtjes së dokumenteve me rëndësi nacionale sepse fati dhe perspektiva e saj është varur shumë nga të tjerët. “Shqiptarët e Kosovës kurrë nuk patën kushte të shkruajnë historinë tonë të mirëfilltë, ngase ndodheshin në mes të dy armiqve të mëdhenj të identitetit iliro-shqiptar, Apokalipses kanonike orthodokese sllave dhe Manifestit Komunist.”
Dihet se në periudhat e pushtimit të saj, e sidomos në luftën e fundit, janë shkatërruar, djegur e zhdukur thesare të çmueshëm dhe me rëndësi të veçantë kombëtare, me vlera të jashtëzakonshme historike dhe kulturore, te cilat ishin pjesë e identitetit tonë kombëtar.
Në dy dekada pas lufte nuk mund të themi që kemi bërë shumë në grumbullimin, seleksionimin, sistemimin dhe digjitalizimin e materialeve të veçanta duke u ofruar lexuesve qasje të lirë në botën e internetit, sidomos për të kaluarën dhe të ardhmen e shqiptarëve nëpër periudha të ndryshme historike. Konsideroj se kjo mund të arrihet vetëm me mbështetje shumë më të madhe të shtetit për të pasuruar, ngritur dhe mbështetur shumë më tepër institucionet publike, siç janë bibliotekat, arkivat, muzetë, e te ngjashme, të cilat shpesh quhen edhe shpirti i kombit.
Derisa tek institucionet qendrore kemi ngritje minimale, në institucionet lokale vazhdojmë të jemi larg shumë mundësive dhe objektivave, sepse mungon mbështetja financiare nga ana e shtetit.
Përgjigjen e gjejmë nëse e analizojmë sistemin bibliotekar të Kosovës, akoma të pakonsoliduar mirë, ende me shumë sfida dhe probleme të natyrave të ndryshme, duke filluar që nga definimi dhe përkufizimi legjislativ e deri tek zhvillimi i strategjisë kombëtare të kësaj sfere, e cila pothuajse edhe nuk ekziston fare. Derisa ishte në fuqi Ligji për Shërbime Bibliotekare, i vitit 2003, shtatë biblioteka ndërkomunale të qyteteve më të mëdha, njësi vartëse të Ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport (MKRS), definoheshin si biblioteka qendrore në regjionin e vet, duke e shtrirë bukur profesionalizmin e tyre mbi të gjitha llojet tjera të bibliotekave në rrethin e tyre, duke kontribuuar kështu në ndërtimin e një sistemi bibliotekar të avancuar, sistem të cilin e kanë edhe vendet e regjionit, por edhe vendet tjera evropiane. Këto biblioteka posedonin një lloj pavarësie administrative dhe financiare sepse e kishin buxhetin e garantuar dhe e kishin mundësinë e menaxhimit buxhetor të pavarur, sidomos atë të cilin vet e gjeneronin. Ana profesionale shtrihej bukur që nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës e deri tek bibliotekat e veçanta dhe speciale nëpër tërë regjionin e Kosovës. Marrëveshja famëkeqe e vitit 2009-të në mes të MKRS-së dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal, e më vonë edhe Ligji për Shërbime Bibliotekare i vitit 2012-të devalvuan rendpunën dhe veprimtarinë e këtyre bibliotekave. Këto biblioteka u kthyen nën menaxhimin e DKRS-së së komunave, të cilat edhe ashtu posedonin buxhet të vogël, dhe kështu pasoi ndërprerja e punës dhe avancimit të këtyre bibliotekave. Praktikë e këtij lloji ekziston vetëm në Kosovë ngase vendet e regjionit, për shembull Kroacia posedon sistemin bibliotekar në tri shkallë, gjë që e kishin edhe në vitin 2009-të.
Programi unik i digjitalizimit EX Libris Aleph 500 ende nuk ka shtrirje në të gjitha bibliotekat. Trajnimet profesionale të stafit janë të rralla, ashtu siç janë të rralla edhe veprimtaritë dhe ngjarjet kulturore. Konform ligjit të vitit 2003, siç është e ditur, ne patëm themeluar sektorët e vendlindjes dhe periodikut pranë këtyre bibliotekave, te cilat gjithsesi se kishin përgjegjësi për të mbledhur, sistemuar, ruajtur dhe promovuar koleksionet e shkruara dhe material tjetër bibliotekarë për të gjithë bashkësinë në të cilën vepronin këto biblioteka me qëllim që të jetë si memorie kolektive për bashkësinë përkatëse, gjë që do të ndihmonte shumë në begatimin e kujtesës kolektive kombëtare.
Ndër funksionet dhe përgjegjësitë e bibliotekave publike është të “ruajnë dhe prezantojnë koleksionet e trashëgimisë kulturore të Kosovës në të gjithë larminë e saj.”. Tani vërehet se në mungesë të buxhetit puna dhe veprimtaria e këtyre sektorëve është e pamjaftueshme. Praktika po tregon se sot në Kosovë bibliotekat publike nuk mund të quhen qendra të larmishme kulturore në bashkësinë ku veprojnë sepse veprimtaria e tyre ka mbetur gati se vetëm tek këmbimi i koleksioneve. Çështje alarmante, që mendoj se duhet ndryshuar, është çështja e rekrutimit të menaxherëve dhe stafit të bibliotekave, sepse është politika ajo që i zgjedhë e jo profesionalizmi i tyre. Në këtë sferë ende kemi mungesë të kuadrit profesional, madje është e pakuptimtë se si pranë universiteteve publike në Republikën e Kosovës nuk kemi ende departament të veçantë të studimeve për bibliotekari, muzeologji, arkeologji, antropologji, etj. Poashtu, në masë të madhe mungojnë trajnimet permanente të këtij kuadri. Edhe me keq, ndodh shpesh kur edhe në menaxhimin e këtyre institucioneve vijnë kuadro pa ngritje profesionale adekuate, pa përvojë menaxheriale, bile shpesh edhe nën nivelin e dijes së stafit që tani menaxhon.
Këshillat drejtues të këtyre institucioneve në vend që të ndihmojnë, drejtojnë dhe kontribuojnë me punën profesionale në zhvillimin dhe avancimin e këtyre institucioneve, ato pothuajse gjithherë janë të emëruara nga politika dhe nuk sjellin asnjëherë ide kreative e profesionale, por vetëm janë vetëm plotësim i vakumit ligjor e asgjë tjetër. Kjo argumenton edhe një herë faktin se çfarë është interesimi i shtetit në ngritjen dhe planifikimin e kuadrove të këtyre fushave shkencore, zhvillimin dhe avancimin e institucioneve publike që merren dhe i përkushtohen kulturës, në përgjithësi, dhe trashëgimisë kulturore e dokumentare në veçanti.
Vlerësoj se në kuadër të zhvillimit dhe veprimtarisë së këtyre institucioneve publike që merren me trashëgiminë kulturore, përkatësisht që ruajnë dhe promovojnë kujtesën kolektive, është dashur shumë më shumë të fokusohemi në avancimin dhe në të ashtuquajturën diplomaci kulturore, ashtu që në vendet tjera, pse jo edhe në ato që akoma po hezitojnë në njohjen e Republikës së Kosovës, të prezantojmë dhe promovojmë vlerat tona kulturore, të kenë mundësinë të njihen sa më shumë me identitetin tonë kombëtar e shtetëror – sa më shumë të kenë informacione për historinë dhe diversitetin tonë të pasur kulturor, si dhe realitetin e tashëm të krijuar në shtetin tonë.
E gjithë kjo, padyshim, do të ndihmonte në thellimin e bashkëpunimit sa më të madh ndërkombëtar, por edhe do të hapte rrugë më të lehtë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, përkundër presionit të madh që është duke përdorur shteti i Serbisë.
Prandaj, është koha që sa më shpejtë të identifikojmë, hulumtojmë dhe analizojmë problemet më aktuale të bibliotekarisë së Kosovës në rrafshin multidimensional, e që unë i potencova vetëm disa nga ato sepse ka edhe shumë të tjera, për të pritur një të ardhme shumë më të mirë dhe më të avancuar të bibliotekarisë në Kosovë, në mënyrë që Kosova të mos mbetet prapa vendeve të civilizuara, ngase rëndësia e këtyre është shumë e madhe – misioni i tyre konsiderohet i shenjtë.
Ne duhet të ndërtojmë një sistem dhe strategji të qëndrueshme bibliotekare në nivel të shtetit, dhe kjo strategji nuk guxon të mbetet vetëm e hartuar në letër por të implementohet në praktikë. Kjo do të mund të arrihej duke zhvilluar veprimtari kulturore sociale dhe edukuese për afirmimin e librit e kulturës së leximit, si dhe duke nxitur të mësuarit gjatë gjithë jetës. Me veprimtarinë e tyre bibliotekat lidhin dhe gërshetojnë në mes veti individët, gjeneratat, popujt, shtetet dhe civilizimet. Andaj, të punojmë në drejtim të avancimit dhe afirmimit të tyre, ashtu që bibliotekaria në Kosovë të mos mbetet prapa vendeve të përparuara.
Literatura:
1. Tefta Buzo, Bibliotekat Publike dhe Kërkesat e Sotme të Bashkësisë për Informacion, Revista Bibliothecae 7, Tiranë, 2006.
2. Shefki Stublla, Mbijetesa (Aspekti Muzeor), Prishtinë, 2007.
3. Hajrullah Mustafa, Disa Refleksione me Rëndësi në Zhvillimin e Muzeve në Republikën e Kosovës – Gjendja dhe Perspektiva, 2013.
Ligji N. 04/L-097 për bibliotekat, 2012