Skip to content Skip to footer

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës lidhin marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimimit bibliotekar

Drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (BKK-së), Blerina Rogova Gaxha dhe rektori i Universitetit të Prishtinës (UP-së), Arben Hajrullahu, sot në objektin e Rektoratit të UP-së kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimimit bibliotekar.

Marrëveshja e nënshkruar pikërisht sot në 55 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, ndërmjet rektorit Hajrullahu dhe drejtoreshës Rogova Gaxha, ka për qëllim bashkëpunimin edukativ dhe kulturor në fushën e arsimit, hulumtimit, krijimit të programit studimor baçelor dhe programit Master në fushën e bibliotekarisë, aftësimit profesional të studentëve të Universitetit të Prishtinës në fushat që lidhen me bibliotekari dhe fushat e tjera të interesit të përbashkët dhe në çdo veprimtari tjetër të interesit dypalësh.

Me këtë marrëveshje nënshkruar nga dy krerët e institucioneve publike, do të rregullohet forma e bashkëpunimit ndërmjet Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës, që thekson, ndër të tjera: 1. Përfshirjen e personelit në hulumtim, ligjërim, projekte dhe aktivitete të tjera edukative-arsimore; Shkëmbim të materialeve të publikuara akademike dhe informatave të tjera; 3. Krijimin e programit studimor Baçelor dhe/ose programit Master në fushën e bibliotekarisë; 4. Shfrytëzimin e infrastrukturës hapësinore; 5. Angazhimin e studentëve të Universitetit të Prishtinës në aktivitete kërkimore; dhe 6. Angazhimin e studentëve në punë praktike.

Me këtë akt të marrëveshjes së bashkëpunimit, Universiteti i Prishtinës obligohet të ofrojë në dispozicion të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës personelin profesional me qëllim të hartimit të projekteve profesionale dhe aktiviteteve të tjera edukative-arsimore; ta hartojë kurrikulёn për krijimin e programit baçelor dhe/ose Master në bibliotekari dhe t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale për sigurimin e personelit adekuat dhe akreditimin e këtij programi.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ndërkaq, duhet të krijojë qasje në dokumente dhe materiale bibliotekare për të gjithë hulumtuesit akademikë dhe studentët të cilët janë pjesë e UP-së; të angazhojë mësimdhënës dhe studentë në projekte profesionale dhe aktivitete të tjera edukative-arsimore në interes të përbashkët, ta ndihmojë Universitetin e Prishtinës për krijimin e programit studimor baçelor dhe/ose Master në fushën e bibliotekarisë; ta përkrahë Bibliotekën Qendrore Universitare (BQU) me material bibliotekar dhe qasje në platforma të ndryshme akademike dhe hulumtuese; të marrë në punë praktike studentë për periudha të caktuara.

55 vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës, u kremtua në një ceremoni solemne që u mbajt në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare.