BRUNILDA TAHIRI
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë
Abstrakt
Është folur shumë mbi bibliografinë, por ende edhe sot, këtij termi nuk i jepet një kuptim i njëjtë nga të gjithë. Në ditët tona bibliografia konsiderohet si listë e punimeve të ndryshme të botuara e organizuara sipas disa rregullave të caktuara dhe të klasifikuara sipas qëllimit shkencor ose praktik, pra shihet si një listë sistematike ose renditje e organizuar e botimeve të shkruara nga një autor i caktuar, mbi një temë të caktuar ose në një periudhë të caktuar etj., që kanë një ose më shumë karakteristika të përbashkëta (gjuhën, formën, periudhën, vendin e botimit etj.) [1]. Pra, është dije dhe pasqyrim i të gjitha teksteve të botuara. Kjo listë e organizuar dhe e renditur sipas rregullave të caktuara, shërben si listë burimesh referuese, që ofron një informacion të shpejtë, të saktë dhe mbi të gjitha të besueshëm, sepse rrjedh nga një kontakt i drejtpërdrejtë me këtë burim. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë është agjenci kombëtare bibliografike. Përgatit dhe boton bibliografitë kombëtare korrente dhe retrospektive të librit dhe të artikujve të periodikut shqiptar [2]. Kjo do të thotë që, hartimi i burimeve referuese, kryesisht i bibliografive si dhe orientimi i përdoruesit në to, kërkon një përgjegjshmëri profesionale. Programet e arsimimit në bibliotekonomi kanë përfshirë lëndë, si: historia e librit, pasurimi i koleksioneve, katalogimi, klasifikimi, bibliografia, libërlidhja, shërbimet bibliotekare, shërbimet referuese etj. Si pjesë e Shërbimeve Referuese dhe Informuese, në Programin e Shkollës Kombëtare të Bibliotekonomisë, moduli i bibliografisë bën të mundur përgatitjen e studentëve të kësaj shkolle me njohuritë teorike dhe praktike të këtij procesi të rëndësishëm për bibliotekat.
Lënda e bibliografisë fokusohet kryesisht në çështje, si: Përmbajtja dhe kuptimi i bibliografisë, Interpretimet e shkollave moderne për bibliografinë; Përdorimi i bibliografive; Historia e zhvillimit të bibliografisë ; Historia e bibliografisë shqiptare; Bibliografia Kombëtare (organizimi dhe përdorimi); Treguesit; Llojet e bibliografive; Kërkimi bibliografik; Vlerësimi i bibliografisë; Kontrolli bibliografik; Impakti teknologjik
Fjalë çelës: Bibliografia Kombëtare, Shkolla Kombëtare e Bibliotekonomisë, Programe mësimore, Teknologjia e informacionit, Kërkimi bibliografik, Burime referuese
I. Çfarë përfshin bibliografia, qëllimi, objekti dhe objektivat, historiku, përdorimi
Objekti i bibliografisë përfshin të gjitha llojet e botimeve dhe dorëshkrimeve, që pasqyrojnë kulturën njerëzore. Bibliografia kërkon, regjistron, përshkruan, klasifikon, sistemon dhe orienton si ta kërkosh një informacion. Pra, drejtpërsëdrejti objekti i bibliografisë është njësia e botuar (letër ose botim elektronik) dhe bazohet në kërkimin, identifikimin, përshkrimin dhe klasifikimin e këtyre njësive duke organizuar dhe ndërtuar mjetet që destinohen për lehtësimin e punës intelektuale. Si e tillë, bibliografia është një dëshmi e kulturës kombëtare e botërore dhe një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e saj.
Qëllimi i bibliografisë është orientimi i gjithanshëm i kategorive të ndryshme të përdoruesve në përmbajtjen e dokumenteve të botuara për t`i shërbyer në mënyrë të gjithanshme kulturës, shkencës, arsimit dhe gjithë aspekteve të jetës shoqërore. Historiku i bibliografisë prezanton terminologjinë e këtij termi, kur është përdorur për herë të parë, si ka evoluar terminologjikisht nga termat Catalogus; Lexicon, Tesaurus, çfarë përfshinte bibliografia si proces në fillimet e saj, sprovat e para për të arritur në bibliografitë e mirëfillta dhe përkufizimet e kristalizimin e saj si dije. Një panoramë e historisë së bibliografisë shqiptare e botimeve të para, qofshin të karakterit tematik, por dhe gjithëpërfshirës, hap udhën e prezantimit të bibliografive kombëtare të librit dhe artikujve në Shqipëri, por dhe bibliografive të tjera nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, por jo vetëm, duke zgjeruar hapësirat e ndërtimit të shërbimeve referuese e informuese në funksion të dijes dhe përdoruesit të saj.
Përse duhet?
Bibliografia përdoret për dy qëllime kryesore:
1. Identifikimin dhe verifikimin e informacionit
Përshkrimi bibliografik ofron informacion standard të ngjashëm me shumicën e katalogëve. Këto janë të dhëna standarde që bibliografi i përdor dhe pastaj kalon tek të dhëna të veçanta, siç është bibliografia tematike apo i një lloji tjetër [3].
2. Identifikimin dhe përzgjedhjen
Bibliografitë duhet t’i përshtaten nevojave të përdoruesve. Kjo nënkupton përzgjedhje nga një numër mundësish (treguesit e autorëve, titujve, treguesi lëndor, ai i personave, kronologjiku, i botuesve, vulave dhe dedikimeve etj.).
II. Organizimi, kontrolli bibliografik, vlerësimi
Organizimi i bibliografisë përfshin rubrikat, referencat, treguesit. Bibliografia Kombëtare shihet si një regjistrim zyrtar i trashëgimisë intelektuale, është pasqyrë, që reflekton kulturën, karakterin dhe interesat e një vendi. Ndaj organizimi dhe botimi i saj kërkon përgjegjshmëri profesionale, e cila fitohet falë arsimit bibliotekar dhe përvojës në njohjen dhe hartimin e tyre. Me botimin e kësaj bibliografie synohet një përshkrim bibliografik i saktë dhe i plotë i të gjithë të dhënave që karakterizojnë botimin.
Procesi bibliografik konsiston në përgatitjen e rekordeve (skedave) të autorizuara bibliografike për secilin botim të vendit, të cilat evidentojnë të gjitha të dhënat e njësive, që do të përfshihen në bibliografi. Bibliografia është regjistrative, çka do të thotë që në të pasqyrohen të gjitha të dhënat e botimit duke respektuar të gjitha nivelet e përshkrimit bibliografik sipas standardeve të përcaktuara. Ky është procesi i hartimit të një bibliografie, i cili respekton standardet, ndarjen në rubrika, hartimin e referencave dhe në fund pajisjen me aparatin informativ. Të gjithë këta elementë na çojnë në një burim të plotë, të saktë e të besueshëm informacioni duke përmbushur funksionin kryesor të bibliografisë.
Aparati informativ zgjeron të dhënat për materialin që pasqyron bibliografia dhe ndihmon në lehtësimin e përdorimit të saj. Treguesit vendosen në fund të bibliografisë dhe shërbejnë si pika hyrëse dhe kërkimi në bibliografi. Sa më shumë tregues të ketë një bibliografi, aq më orientuese është ajo për përdoruesin. Nëpërmjet treguesve bibliografia bëhet lehtësisht e qasshme. Në lëndën e bibliografisë i kushtohet një vëmendje dhe një kohë e mjaftueshme, kontaktit të studentëve me bibliografitë, sidomos me treguesit. Në këtë mënyrë bibliotekarët dhe bibliografët e ardhshëm, jo vetëm njihen, por edhe mësojnë mekanizmin e gjetjes së informacionit nëpërmjet treguesve. Për ta bëhet më e thjeshtë ta organizojnë atë informacion për një listë të caktuar njësish duke ndërtuar tregues, sipas nevojave për kërkim.
Pas njohjes me strukturën e bibliografisë është e rëndësishme njohja me llojet e bibliografive, sepse e bën më të lehtë kërkimin në to, por edhe jep mundësi për hartime bibliografish të llojeve ndryshme. Bibliografitë mund të jenë personale, informuese, krahinore, tematike, bibliografi e bibliografive, retrospektive, ndërkombëtare etj. [4]. Prezantimi i metodave të kërkimit për hartimin e një bibliografie (pas zgjedhjes së llojit të bibliografisë që do të punohet) përfshin studentët në një angazhim në punën studimore-kërkimore. Bibliografi për të realizuar një bibliografi gjithëpërfshirëse duhet të shfrytëzojë të gjithë burimet e mundshme dhe të plotësojë bibliografinë me informacionin, që mund të gjejë edhe jashtë literaturës që ka në dispozicion, duke u nxitur për një vëmendje dhe kujdes në hartimin dhe saktësimin e burimeve të
informacionit.
Metodat kryesore të kërkimit janë:
Metoda e përgjithshme dhe ajo e zgjedhur. Mënyra më e mirë për një kërkim të suksesshëm bibliografik është ai i kombinimit të këtyre dy metodave, shfrytëzimi i të gjitha burimeve të mundshme, grumbullimi i të gjithë materialeve që ofrohen falë këtyre burimeve dhe përzgjedhjes nëpërmjet ballafaqimit të artikujve apo librave që janë objekt i temës së zgjedhur. Vlerësimi i bibliografisë përfshin qëllimin, autoritetin, gjerësinë dhe metodologjinë e hartimit. Kontrolli bibliografik përfshin katalogimin përshkrues e lëndor, klasifikimin dhe indeksimin [5] ; mundëson: zhvillimin e standardeve ndërkombëtare të përshkrimit bibliografik, përmirësimin i bibliografive kombëtare dhe shkëmbimin e regjistrimeve bibliografike elektronike [6].
II. Funksionet e bibliografive dhe impakti teknologjik
Ajo çfarë arrihet dhe përmbushet nëpërmjet njohurive që ofron lënda e bibliografisë justifikohet përmes: seleksionimit dhe përfitimit (mundësi për informacion të mjaftueshëm e të dobishëm), identifikimit dhe referencave (autorësinë dhe historinë bibliografike), katalogimit në përputhje me standardet ndërkombëtare, statistikave (treguesi është referenca më e mirë për të bërë statistika psh. lidhur me përkthimet, autorët etj., duke u lejuar specialistëve të analizojnë tregun e leximit dhe botimit sipas nevojave të tyre), mundësisë për të hartuar bibliografi tematike dhe të llojeve të ndryshme.
Prezantimi dhe mënyra me të cilën po prodhohen bibliografitë kombëtare reflekton ndryshimet në teknologji dhe nevojat e përdoruesve. Epoka digjitale ka sjellë ndryshime në mënyrën e prezantimit, kërkimit dhe përdorimit të bibliografive. Zhvillimet teknologjike po prezantojnë sfida dhe mundësi për prodhimin e ardhshëm të bibliografive kombëtare. Bibliografia kombëtare në formë elektronike (në linjë/online) është një nga portat e hyrjes në bibliotekën digjitale. Dhe janë pikërisht bibliografët, të cilët, pasi kanë listuar, përshkruar, regjistruar në vite shtypshkrime të llojeve të ndryshme, pasi iu kanë mundësuar përdoruesve informim dhe orientim, pasi i kanë lehtësuar studiuesit në kërkimet e tyre duke iu ofruar aparatin e larmishëm të indekseve, – që internetistët i quajnë tanimë “motorë kërkimi”, – në mjedisin virtual, duhet medoemos të mundësojnë edhe qasjen në to [7]. Shumë prej përdoruesve të bibliografive tradicionale mund t’i hasim në mjedise virtuale, ku mundësitë për kërkim, ndërveprim, shkëmbim dhe krijim njohurish janë të arritshme. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka marrë përsipër të implementojë progreset teknologjike në prezantimin dhe disponibilitetin e kërkimit bibliografik online.
Qëllimet e botimit të këtyre bibliografive janë: përmirësimi i qasjes, krijimi i burimeve të reja të informacionit për përdoruesit, përmirësimi i shërbimeve të informacionit duke siguruar organizimin e bibliografive kombëtare dhe botimin e tyre online/në linjë në mënyrë që të lexohen përmes indekseve dhe nivelit sistematik. Në këtë mënyrë, rritet bashkëveprimi ndërmjet bazave të të dhënave, funksionaliteti, fleksibiliteti dhe ruajtja e informacionit për një kohë të gjatë; bëhet i mundur shfrytëzimi i bibliografisë nëpërmjet motorëve të kërkimit online; bibliografia bëhet më funksionale në një kohë më të shkurtër ; shfrytëzohet për studime, hartime bibliografish tematike, kronologjike etj., sipas interesave të përdoruesit.
Webografitë janë lista web-esh, që shërbejnë si burime referuese për përdoruesit. Përhapja e mediave dhe formateve digjitale sjell me vete sfida të reja për organizimin dhe paraqitjen e informacionit, si dhe për të lejuar qasjen në to. Është përgjegjësi e agjencive bibliografike kombëtare të menaxhojnë burimet e saj të limituara me një efikasitet maksimal për të siguruar një mbulim të gjerë, që në të njëjtën kohë u jep përgjigje edhe kërkesave e nevojave ekzistuese të përdoruesve, sepse tashmë, krahas përdoruesve fizikë që frekuentojnë bibliotekën, renditen edhe përdoruesit virtualë. Falë përqafimit të teknologjisë në proceset bibliografike, kërkimi bibliografik bëhet nëpërmjet motorëve të kërkimit, kërkimit në tekst dhe shfletimit online. Në rastin e bibliografive kombëtare mund të indeksohet fare mirë nga motorët e kërkimit dhe të jenë të qasshëm për publikun në përgjithësi nga çdo vend.
Profesionistët e bibliotekave përgatiten jo vetëm për përdorim, hartim të bibliografive, por edhe për Aftësim në Informacion duke investuar kohë për të zhvilluar aftësitë dhe njohuritë në përdorimin e burimeve online, në mënyrë që të ndihmojnë përdoruesit për të gjetur informacionin e duhur sa më shpejt që të jetë e mundur. Aftësimi në Informacion është tërësia e njohurive dhe aftësive të nevojshme për kërkimin, gjetjen, menaxhimin, vlerësimin dhe përdorimin e informacionit në mjedisin e ri, që ka konfiguruar teknologjia dhe mjetet e reja të komunikimit [8].
Bibliografi në epokën digjitale ofron konsulencë për përdoruesit në shërbimet referuese digjitale dhe në shërbimet e informacionit [9]. Sfida në epokën digjitale lidhet me aftësimin teknologjik, terminologjik dhe mirëmenaxhimin e informacionit në rrjete sociale apo profesionale. Bibliografët duhet të jenë vigjilente në monitorimin e kritereve të tyre përzgjedhëse, të sigurojnë që ato do të reflektojnë nevojat në rritje të përdoruesve të bibliografisë kombëtare dhe të përftohet një proces bibliografik funksional për ta. Përdoruesit kanë nevojë për aftësim teknologjik për përdorimin e web-it, motorëve të kërkimit, bazës së të dhënave, informacionit dhe përmbajtjes të referencës digjitale etj. për të përftuar shërbime [10]. Zhvillimi i lëndëve në programet arsimore të Shkollës Kombëtare të Bibliotekonomisë ndihmon profesionistët e së ardhmes për të zhvilluar aftësitë, dijet dhe vlerat që të mësojnë gjatë gjithë jetës, falë rolit të ekspertëve në procesin e Aftësimit në Informacion. Nëpërmjet këtij procesi, profesionistët e bibliotekave aftësohen dhe aftësojnë përdoruesit në informacion.
Burime referuese
[1] https://en.oxforddictionaries.com/definition/bibliography
[2] Statuti i Bibliotekës Kombëtare, Neni 8
[3] http://www.lisbdnet.com/objectives-functions-bibliography/
[4] http://www.lisbdnet.com/types-of-bibliographies/
[5] Xhaja, Farfuri. Përshkrimi bibliografik i materialeve biblotekare, Tiranë 2001.
[6] Gjinaj, Maksim. Kontrolli bibliografik në Bibliotekën Kombëtare, Bibliothecae, Nr. 7, 2006, f. 74
[7] Domi, Etleva. Nga bibliografia te webografia : mundësi apo realitet për bibliotekat shqiptare.
– Në : Java e Bibliotekës në Kosovë / Library Week in Kosova, 12-16 prill-april 2011 (edicioni 9). – Prishtinë: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, 2012.
[8] Fero, Renida. Aftësimi në informacion për grupmosha të ndryshme, pjesë e strategjisë së Bibliotekës Kombëtare në epokën digjitale, Java e Bibliotekës në Kosovë 12-16 prill 2016
[9] http://eprints.rclis.org/14295/1/DIGITAL_REFERENCE_SERVICES.pdf
[10] Domi, Etleva. Revolucioni teknologjik : sfidë në formimin dhe trajnimin e vijueshëm bibliotekar kombëtar. – Në: Java e Bibliotekës në Kosovë / Library Week in Kosova, 10-14 prill / april, (edicioni XVI). – Prishtinë: Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, 2019.