Skip to content Skip to footer

Arkivat dhe bibliotekat: strategjia që duhet ndërtuar në Kosovë

ARSIM SINANI

Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës

Do të mundohem të mos jem teorik dhe të mos flas për nocione kur bëhet fjalë për arkivat dhe bibliotekat, me theks të veçantë në Kosovë, por, pse jo, edhe në hapësirat shqiptare.
Ajo që kam vërejtur nga puna ime e përditshme në Universitetet, ku për disa vite kam pasur rastin të jap lëndë që lidhen me arkivat, janë disa fenomene interesante. Mund të marrim shembull Agjencinë e Arkivave të Kosovës në të cilën mungojnë hapësirat e duhura, e në anën tjetër ka edhe mjaft probleme në punën e përditshme, e që mendoj se është kushti themelor për të pasur ruajtje të mirëfilltë të memories kolektive. Ndërsa, Arkivi Komunal i Prishtinës është në gjendje shumë më të mirë, mos të them avancon në ruajtjen e dokumenteve arkivore.
Është interesante nëse bëhet kjo paralele, Agjencia e Arkivave të Kosovës në raport me Arkivin Komunal të Prishtinës dhe me arkivat tjera komunale e ndërkomunale rezulton të ketë mungesa, gjë që nuk do duhej ta lejojmë pasi që kjo në masë të madhe e rrezikon memorien tonë kombëtare, atë të shkruarën.
Për të dhënë një shembull se kah do duhej të lëvizet me Arkivat, Agjencisë së Arkivave të Kosovës ia kam dhuruar një set të fotografive të themelimit të Universitetit të Tetovës, origjinale, në formë të shtypur dhe CD. Ndërkaq, Arkivit të Republikës së Shqipërisë ia kam dhuruar një letër, origjinale, që profesori i ndjerë, rektori themeltar i Universitetit të Tetovës, Fadil Sulejmani, ia ka nisur profesor Ramadan Sinanit nga burgu i Shutkës në Shkup, kur u themelua Universiteti i Tetovës.
Tutje, duke u munduar të kuptoj se çka gjendet në mesin e popullsisë sonë, në detyrat seminarike, studentëve u kam dhënë detyrë që të hulumtojnë dhe ka rezultuar se shumë gjëra, dokumente, libra, artefakte… gjenden nëpër shtëpi, pa kurrfarë mbrojtje adekuate dhe me mundësi të zhdukjes. si fakte të rëndësishme për historinë e kombit shqiptar të Kosovës. Një nga rastet më veçuese është gjetja e disa kartave të identitetit, të cilat serbët ua kishin dhënë shqiptarëve gjatë kohës së bombardimeve. Kë dokumente, të cilat i kishte gjetur një student gjatë hulumtimit të tij, dëshmojnë për doktrinën serbe, e cila ka shkelur dhe shtypur shqiptarin gjatë asaj kohe. Konsideroj se ato dokumente të rëndësishme e kanë vendin në Agjencinë e Arkivave të Kosovës, apo në Bibliotekën Kombëtare të
Kosovës.
Përgjatë gjithë punës sime, disavjeçare, kam ardhur në përfundim se nëse kemi një strategji kombëtare për koleksionimin e asaj që është shkruar, gjeneratave që vijnë ua lëmë memorien e asaj që ndodhi dje – për të mos u harruar kurrë.
Në këtë vijë te mendimit, në Arkivin Komunal të Prishtinës, gjatë kohës së okupimit serb, dosja e tetëmbëdhjetë [18] mijë punëtorëve të Ramiz Sadikut ishte dërguar për t’u djegur mirëpo falë angazhimit të punëtorëve të këtij arkivi sot ato dosje ekzistojnë, si rezultat mbi gjashtëmijë punëtorë kanë arritur që t’i marrin pensionet.
Pasur parasysh numrin e madh të librave që botohen nga Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit, Universiteti i Prishtinës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Muzeu Kombëtar i Kosovës, Instituti Arkeologjik i Kosovës, Instituti i Mbrojtjes së Monumenteve të Kosovës, si dhe dhjetëra institucione tjera, është e pakuptueshme se si bibliotekat tona kanë probleme fundamentale me tituj. Kjo do të duhej të rregullohej me ligj, pasi që nuk është e mjaftueshme që libri të mbështetet financiarisht, e në anën tjetër të mos arrijë në destinacionin e fundit, tek biblioteka apo tek lexuesi. Posaçërisht, janë zonat rurale ato të cilave duhet t’u kushtohet një vëmendje e madhe, pasi që atje, në mungesë të librit, e kemi lënë në mëshirë qytetarin tonë. Kjo duhet të rregullohet me ligj dhe me një bashkëpunim ndërinstitucional.
Sot, nuk mund të arsyetohemi se e kemi dike mbi kokë, por duhet që për pozita të caktuara të trajnohen, pranohen, edukohen e përgatiten kuadro, të cilat pastaj do t’i shërbenin qytetarit, studentit, hulumtuesit, e cilësdo kategori tjetër.
Një popull i cili nuk i kushton rëndësi çështjeve që kanë të bëjnë me këto problematika do ballafaqohet me probleme sot dhe nesër. Në Abetaren e Gjuhës Shqipe, të vitit 1989, të profesorit Jusuf Osmani, shihet qartë se çfarë pasurie kemi ndërsa shumë pak dihen këto fakte, e që janë shumë të rëndësishme për ne. Në këtë Abetare gjendet një dokument me interes për t’iu rikthyer e lexuar. Është ky dokumenti, nr. 16-të C, Shkodër, 6 qershorit 1901, me anë të së cilit Ippeni e njofton Agenor Collukovskin në lidhje me raportin e Dervish Himës për Kongresin e shqiptarëve në Napoli, në të cilën është folur për aspiratat e shqiptarëve për krijimin e një alfabeti të vetëm për të gjithë shqiptarët. Për dokumente të ngjashme, të rëndësisë kombëtare, duhet të funksionojë një menaxhim dhe koordinim i përpiktë ndërinstitucional.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, në vitin 2017, ka botuar një libër të veçantë “Kujesa e Kosovës 1: Hisja e gruas”, shembull ky i cili duhet ndjekur edhe për nisma të tjera të ngjashme. Të tilla projekte, por edhe fillimi i digjitalizimit, do të ishte ndihmesë e madhe për kulturën shqiptare e gjuhën, si dhe për ngritjen e dëshirës dhe vullnetit për të ruajtur atë që është shkruar ndër vite.
Ndonëse shumë të rinj, por edhe punonjës të kulturës e arkivave që merren me librin, punojnë me vullnet të madh, prapëseprapë kjo kërkon një strategji kombëtare e pse jo edhe regjionale mes shqiptarëve. Çështje të tilla i takojnë një rëndësie të veçantë sa i përket ruajtjes së mbijetesës dhe prosperitetit tonë kombëtar.
Libri është i rëndësishëm po aq sa edhe puna e bibliotekarëve dhe atyre që merren me menaxhimin, botimin dhe ruajtjen e këtyre aseteve shumë rëndësishme. Prandaj, të gjithë ata që merren me librin, sidomos bibliotekarët, duhet të tregojnë më shumë kujdes e dashuri ndaj librit. Beteja e vërtetë e librit fillon nëpër biblioteka, aty ku puna që bëhet do të jetë shkas i një shndërrimit të një biblioteke në shtëpi të dytë apo thjeshtë një vend që do e mbulojë pluhuri. Ndaj, bibliotekari mund të ndikojë shumë në formimin e secilit, posaçërisht të të rinjve, të cilëve nëse u jepen libra të mirëfilltë u zgjohet kureshtja për lexim e për mësim, dhe vetëm atëherë do të mund t’i sigurojmë shoqërisë sonë një vizion për të ardhmen.
Prandaj, libri mbetet monument shumë i rëndësishëm i zhvillimit tonë kombëtar dhe duhet të ruhet me shumë kujdes, pasi që nëse dje na është bërë dëm me humbjen e shumë librave të rëndësishme për kombit tonë, sot kjo nuk na falet. Pikërisht për këtë arsye i kemi edhe institucionet përkatëse, vetëm se duhet bërë shumë punë për të pasur një brez më të mirë se ne.