Profesori dhe publicisti Rrahman Pacarizi, në fjalën e tij, për veprën e Agron Alibalit tha se është vështirë me shkru për këtë libër, pasi është tepër voluminoz dhe lyp mjeshtëri shkrimi për ta trajtuar brenda pak faqesh a minutash. 640 faqe tekst, shumë faqe me fotografi domethënëse, treguesit e emrave dhe të temave dhe një parathënie substanciale, si një abstrakt janë ilustrimi i përgjithshëm i një pune gjigante dhe pasiononte që ka bërë studiuesi Agron Alibali, duke gjurmuar në jetën dhe veprën e Konicës e më shumë të atyre që e rrethojnë, siç thekson vetë autori. Ai, duke sjellë copëza e fragmente nga jeta e Konicës arrin të na sjellë, pse jo edhe për një gjykim personal dhe të pavarur, figurën e Faik Konicës në plotëninë e saj, të tillë çfarë e kishim menduar, të tillë çfarë e kishim besuar apo nuk e kishim besuar. Paçarizi, me tutje tha se brezi im, kur e lexon librin e Alibalit nuk ka se si të mos luftojë me memorien e ngulitur në librat normativë të letërsisë ku Faik Konica ishte ai kontradiktori i paraqitur në poezitë e Nolit.
Gjurmuesi i specializuar i arkivave me karrierë në fushën e diplomacisë, Bejtullah Destani në këtë promovim përmendi fakte të cilat e përbledhin figurën e Konicës dhe ngriti çështjen e mungesës së një pjese të madhe të librave dhe dorëshkrimeve të Konicës. Duke folur për probleme të veçanta të kërkimit dhe gjetjes nëpër arkiva, të cilat janë bërë nga vetë autori Alibali, ai vlerësoi punën e këtij autori, gjetjet që ka bërë dhe narrativën që ka dhënë për jetën dhe veprën e Faik Konicës.
Autori Agron Alibali tha se vepra “Faik Konica-Dritëhijet e një Diplomati” është rezultat i një pune kërkimore shumë të gjatë, i konsultimit me dokumente arkivore në Shqipëri, në SHBA, në disa vende të Evropës, si dhe me një literaturë shumë të pasur. Ai u ka dhënë theks të veçantë dy gjetjeve të rëndësishme, siç është dosja e praktikës diplomatike në SHBA, zbuluar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, në bashkëpunim me prof. Pëllumb Xhufin si dhe gjetja e një pjese të vogël të bibliotekës personale të Konicës, të cilën autori e ka dorëzuar në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.
Alibali ka vënë në pah veprimtarinë diplomatike dhe juridike të personazhit kryesor, në mënyrë të veçantë botëkuptimin kushtetues të tij. Ai ka nënvizuar rolin e Konicës në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis Shqipërisë dhe SHBA-së për njohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë shtet, si dhe në zhvillimin e marrëdhënieve me Italinë dhe Greqinë.
Libri “Faik Konica - Dritëhijet e një Diplomati” bazohet në arkivën e legatës shqiptare në SHBA, në tërë praktikën diplomatike dhe konsullore të legatës së Konicës dhe konsullit Prifti në Boston dhe në arkiva të tjera në SHBA. Libri është nderuar me çmim nga Federata Panshqiptare VATRA - THE HEARTH dhe është përuruar më parë në Bibliotekën e Kongresit në SHBA si dhe në Bibliotekën Kombëtare në Shqipëri.