» LAMTUMIRË ROBERT ELSIE! (1950-2017)

     
 
 

Prishtinë, 6 tetor 2017

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, sot, u mbajt takim përkujtimor për përkthyesin, hulumtuesin e shquar dhe për njërin nga albanologët më të njohur në botë, Robert Elsie.
Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të kulturës, letërsisë, albanologë, antropologë, bashkëpunëtorë dhe dashamirë të veprës së Elsie-t.
Drejtori i Bibliotekës, z. Fazli Gajraku, në këtë ceremoni, cilësoi Robert Elsie-n si një nga personalitetet më të respektuara dhe më të dashura nga shteti dhe populli i Kosovës. Ai u shpreh falenderues për punën dhe kontributin e Elsie-t për ta bërë të njohur kulturën shqiptare në botë, si dhe për mbështjejen e vazhdueshme që i ka dhënë ai Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Gajraku kujtoi Elsie-n si një përkrahës të fortë të idesë se bibliotekat dhe arkivat janë mjete pune mbreslënëse që të shtyjnë thellë në territorin e asaj që nuk dihen për historinë, kulturën dhe qytetërimin.
Përkushtimin e Robert Elsie-t për kulturën shqiptare e vuri në pah edhe studiuesi z. Muhamet Hamiti. Sipas tij, Elsie me punën e tij u bë insititucion i studimeve shqiptare me rezultate tejet të vlefshme për të ardhmen. Gjithashtu, sipas Hamitit, Elsie duke qenë përkthyes i disa prej veprave më të rëndësishme shqiptare, qau, jo një herë, mungesën e përkthyesve letrarë nga gjuha shqipe në atë angleze.
Studiuesi Arsim Canolli, i cili ka përcjellë me shumë kureshtje kontributin e Elsie-t në fushën e përkthimit, konsideron se ky autor ka arritur ta vendosë në vitrinë të dijes botërore, në gjuhën angleze dhe gjermane, një mozaik përfaqësues të jetës, mendimit e imagjinatës shqiptare. Ai shtoi se Elsie i ka dhënë bibliotekës botërore, këndi më i madh i së cilës është në kulturën angleze, përkthime të autorëve të traditës së letërsisë shqiptare, si dhe një antologji personale të kulturës shqiptare në gjuhën angleze.

Bejtullah Destani, mik dhe bashkëpunëtor i Robert Elsie-t, ndau me të pranishmit përvojat e bashkëpunimit me Elsie-n. Ai tregoi se projekti që kishte më për zemër albanologu Elsie ishte libri për Çamërinë, përmes të cilit synonte të ndihmonte çështjen çame. Destani numëroi edhe disa nga projketet që Elsie kishte lënë në gjysmë, por që janë në plan të botohen.
Në fund të këtij takimi përkujtimor u bë hapja e ekspozitës “Lamtumirë! Robert Elsie”, në të cilën u ekspozuan libra të shkruar dhe të përkthyer nga Robert Elsie, fotografi të realizuara nga Elsie, si dhe u shfaqën pjesë të disa prej intervistave të tij të realizuara në shqip.
Antropologu i shquar, Robert Elsie kishte vizituar Shqipërinë disa herë në kuadrin e takimeve shkencore midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu kishte qenë pjesëmarrës disa vite me radhë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë.

 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

 

 

 

 

 
 
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014