|
|
|
|
|
|
Prishtinë, 18 korrik 2018
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Gashi nënshkroi Memorandumin e Bashkëpunimit me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Fazli Gajraku, për përkrahjen e projektit “Kujtesa e Kosovës: histori gojore - 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka”.
Projekti, faza e parë e të cilit ishte bashkëfinancim i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë, është hartuar dhe realizohet nga Dega e Antropologjisë e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës.
Pjesa e parë e projektit u mbyll me realizimin e njëqind intervistave që trajtojnë tema mbi zhvillimin e jetës në të kaluarën, zakonet ekonomike e familjare, marrëdhëniet tregtare brenda dhe jashtë vendit, mbajtjen e fesë, tolerancën, artin dhe zejtarinë, martesat dhe të drejtat e grave në përgjithësi.
Ndërkaq, faza e dytë e projektit parasheh dokumentimin dhe ruajtjen e këtyre intervistave në format të shtypur.
|
|
|
|
|
Kjo pjesë nënkupton transkriptimin e intervistave të realizuara nga Dega e Antropologjisë e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Ky projekt nisi me synimin parësor për të mbledhur, dokumentuar, publikuar dhe promovuar historitë gojore të të moshuarve në Kosovë - mbi 80 vjeç, si dhe për të revitalizuar Qendrën e Kujtesës së Kosovës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, si qendër informimi dhe trajnimi për projektet e historisë gojore.
Realizimi i kësaj pjese, esenciale për sigurimin e jetëgjatësisë së këtyre kujtimeve, mbështetet nga Ministria e Kulturës me shumën prej pesëmbëdhjetë mijë euro.
|
|