» DITA BOTËRORE E LIBRIT DHE E TË DREJTËS SË AUTORIT

     
 
 

Prishtinë, 23 prill 2016

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, më 23 prill, ka organizuar veprimtari kulturore për Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit.
Në prani të këshilltarit të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Vehbi Miftarit, të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, mësuesve të tyre, si dhe në prani të shumë studentëve, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, z. Fazli Gajraku ka folur për rëndësinë që ka Dita Botërore e Librit.

 

 
 

Ai këtë ditë e njëjtësoi me një festë të mirë për të ruajtur zakonin e leximit të librit nëpërmjet të folurit për librin dhe kënaqësisë së leximit, nëpërmjet emocionit që na jepet në leximin e drejtpërdrejtë, nëpërmjet mundësisë për të dhuruar librin, por edhe për të pranuar librin si dhuratë të çmueshme. Ai theksoi se Dita Botërore e Librit është ditë e të sfiduarit atyre që ngrihen kundër librave ose ata që mendojnë se fuqia e librit është e mundur përballë fuqisë teknologjike. Dhe, për këtë, bibliotekat kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe kanë një detyrim moral që ta bëjnë leximin një kulturë të arritshme. Në këtë mënyrë, sipas tij, do të përmbushej detyra e Bibliotekës e që është arritja e numrit më të madh të mundshëm të përdoruesve të librit në Bibliotekë.
Ndërkaq, këshilltari i ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, z.Vehbi Miftari, theksoi se MKRS-ja ka shtatëfishuar buxhetin e librit në mënyrë që të krijohen mekanizma më të fuqishëm, të cilët ndikojnë në promovimin e librit dhe të dijeve në përgjithësi.

 
 

Sipas Miftarit, politikat që është duke i zhvilluar Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport janë jashtëzakonisht të favorshme për librin, duke ndikuar si në promovimin e punës së bibliotekave ashtu edhe në rritjen e gatishmërisë së tre faktorëve (Kulturës, Rinisë dhe Sportit) për të thelluar bashkëpunimin në mënyrë që libri e dija të promovohen edhe më tej.
Në këtë veprimtari, aktorja Sheqerie Buçaj ka interpretuar disa pjesë nga krijimtaria e shkrimtarëve më të njohur të letërsisë së huaj dhe asaj shqiptare, nën përcjelljen e pianistes Njomza Kastrati.
Veprimtaria për Ditën Botërore të Librit është mbullur me dhënien e librave dhuratë për nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Prishtinës, si dhe për studentë të Universitetit të Prishtinës.

 
 
     
 
 
 
     
 
» BIBLIOTEKA KOMBËTARE DHE SHOQATA E TË BURGOSURVE POLITIKË - AKTIVITET KULTUROR ME RASTIN E 80 VJETORIT TË ADEM DEMAÇIT

     
 
 

Prishtinë, 21 prill 2016

Në BKK “Pjetër Bogdani”, në 80 vjetorin e lindjes së Adem Demaçit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë, më 21 prill, kanë organizuar veprimtari kulturore përmes ekspozitës së librave, të fotografive, dhe të dorëshkrimeve nga jeta dhe veprimtaria kulturore e këtij autori.
Në ceremoninë e hapjes së këtij organizimi kulturor, në të cilin morën pjesë figura të njohura politike,

 

 
 

përfaqësues të institucioneve, veprimtarë, familjarë dhe miq të Adem Demaçit, Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit Organizativ për Shënimin e 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, z. Hydajet Hyseni e vlerësoi lartë figurën e Adem Demaçit. Ai foli për veprimtarinë atdhetare shumëvjeçare të Demaçit si dhe për rolin e madh që ka pasur në proceset politike të shqiptarëve. Hyseni tha se Demaçi është një histori e gjallë dhe si e tillë meriton respektin edhe dashurinë e shqiptarëve, meqë është boshti kryesor i formimit të tyre si shtet.

 
 

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Fazli Gajraku, formën e kësaj veprimtarie të mbajtur për nder të tetëdhjetë vjetorit të lindjes së Demaçit, e shpjegoi të jetë një përfshirje në një kujtesë emocionale për Demaçin, nëpërmjet fotografive, dorëshkrimeve e librave.
Historia e jetës dhe veprës së Demaçit, u cilësua nga Gajraku si historia më prekëse, e cila siç u shpreh ai do të jetë ndër më të kërkuarat për lexuesin e ardhshëm të Kosovës dhe për këtë Biblioteka Kombëtare e Kosovës do të punojë për ta plotësuar korpusin e dëshmive shkrimore e jo shkrimore për të.

 
 
  Drejtori Gajraku vlerësoi punën e anëtarit të Këshillit Organizativ për Shënimin e 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, koleksionuesit z. Selatin Novosella, duke e cilësuar si një nga koleksionuesit më fanatik që zbulon të gjitha format e kujtesës për jetën dhe veprimtarinë e Adem Demaçit.
Ndërkaq, vetë Selatin Novosella këtë ekspozitë e sheh si një përpjekje të parë që në të ardhmen të prezantohen të plota jeta dhe vepra e Adem Demaçit.
Novosella foli për veprimtarinë kombëtare të Demaçit, duke e cilësuar si njeriun i cili nuk ka pranuar asnjëherë padrejtësitë që i janë bërë popullit të Kosovës, prandaj si i tillë ai ishte dhe ka mbetur mendje e lirë.
Fotografitë nga ekspozita “Adem Demaçi - Jeta dhe veprimtaria atdhetare e kulturore”, do të mund të vizitohen përgjatë një jave dhe më pas ky koleksion do t’i përket koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
 
 
 
 


BKK. Copyright © 2014