» DITA BOTËRORE E LIBRIT NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE TË KOSOVËS

     
 
 

Prishtinë, 23 prill 2015

Me rastin e ngjarjes vjetore “Dita Botërore e Librit”, në përkujtim të kësaj dite, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, ka organizuar aktivitet në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në të cilin kanë marrë pjesë lexues të moshave e profileve të ndryshëm, studentë, mësimdhënës, si dhe nxënës të Shkollës së Mesme të Ulët “Elena Gjika” dhe të Gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës.

 

 
 


U. d. i drejtorit të BKK “Pjetër Bogdani” - Tefik Mehmeti, i ka përshëndetur të pranishmit, duke i falënderuar për pjesëmarrjen dhe ndjeshmërinë kulturore që kanë për këtë ngjarje që tashmë po festohet në gjithë botën. Ai tha se përkujtimi i 23 prillit, e shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, është një nderim ndaj librit që në gjithë historinë e ekzistimit të tij ishte mjeti më i përshtatshëm për të përhapur dijen dhe për të arkivuar njohuritë e epokave të civilizimit njerëzor. Prandaj, - tha ai, - nëpërmjet përkujtimit të kësaj ngjarjeje, ne po promovojmë kulturën e të lexuarit të librit, po promovojmë kërkimin e leximin e librit në biblioteka, duke vënë në pah vlerën kulturore të tij, fuqinë e tij për të kulturuar e për të lidhur me dijen individin, familjen, shoqërinë; për të na lidhur me shpirt e mendje me kulturën universale e nacionale.

 
 

Ndërsa, Ramize Bajrakari, udhëheqëse e këtij aktiviteti në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, theksoi se vlerën dhe rëndësinë e librit sikur e ka sfiduar zhvillimi i shpejt i teknologjisë informative, i rrjeteve sociale, porse libri po u mbijeton të gjithë këtyre sfidave që i janë përballë. Edhe motivi që jemi mbledhur këtu, kaq shumë, - në Ditën Botërore të Librit, nxënës, student, mësimdhënës, bibliotekarë, është një argument për respektin e pasionin që kemi ndaj librit.

   
 


Kjo ngjarje pasoi me lexime - fragmente veprash të autorëve të njohur shqiptarë e botërorë, nga nxënëset Xheneta Vokrri dhe Anita Dautaj, tw shkollës fillore “Elena Gjika”, si dhe Blerta Musa dhe Gresa Stublla të Gjimnazit “Xhevdet Doda”.

 
 

Më pas, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, që shënimin e kësaj date të rëndësishme - Ditën Botërore të Librit, e ka konceptuar, gjithashtu, me gjestin e të qenit një ngjarjeje bamirësie, ka dhuruar libra për nxënës, studentë e mësimdhënës.


   
 
 
 
 

» JAVA E BIBLIOTEKËS NË KOSOVË 2015

     
 
 

Prishtinë, 14 prill 2015

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” hapi sot edicionin e trembëdhjetë të Javës së Bibliotekës në Kosovë, veprimtari kjo që do të mbahet gjatë kësaj jave nga 14 deri më 18 prill. Është kjo veprimtari e cila përkrahet dhe për të cilën ka një përkujdesje të veçantë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e cila gjatë këtyre trembëdhjetë viteve ka qenë shprehje e vullnetit dhe e përkushtimit të komunitetit bibliotekar për t’u bashkuar në idenë si t’i zhvillojmë bibliotekat, si të grumbullojmë, përpunojmë e ruajmë kulturën e dijen e shkruar e të shtypur.

 

 
 
Në hapje të Javës, U.d. i Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës - Tefik Mehmeti, falënderoi Ambasadën Amerikane për përkrahje të kësaj veprimtari dhe, po ashtu Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë për bashkëpunim e mbështetje profesionale. Ai theksoi se Java e Bibliotekës në Kosovë është një veprimtari që po ua kthen vështrimin kah biblioteka – institucioneve që i financojnë dhe i mbështesin ato. Java po aktualizon dhe promovon rëndësinë që kanë bibliotekat për shoqërinë e kulturimin e saj, në kuptimin arsimor, social, politik e ekonomik. Këtë Javë, siç tha ai, priten rezultate në dialogun kulturor të kërkimit të kulturës së shkruar dhe arkivimin e dokumenteve të së kaluarës së Kosovës.

 
 
Në emër të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë, përshëndeti zoti Jeffrey Jamison, Drejtor i Sektorit për Marrëdhënie me Publikun. Z. Jamison e përgëzoi Bibliotekën e Kombëtare dhe bibliotekat pjesëmarrëse të mbarë Kosovës që e kanë rritur dhe zhvilluar Javën e Bibliotekës në një aktivitet profesional për bibliotekarë dhe specialistë të fushave. Për temën kryesore të Javës së sivjetme të Bibliotekës - Koleksionet e veçanta: trashëgimi kulturore dhe intelektuale e Kosovës, z. Jamison tha se “kjo është një temë që e lidh secilën bibliotekë në Kosovë pasi çdonjëra prej tyre ka diçka që t’i ofrojë trashëgimisë së Kosovës.
   
 
Si të veçanta, asnjëra prej tyre nuk mund të pretendojë se e ruan thesarin e plotë të këtij vendi. Ky është një fakt i vërtetë si për Bibliotekën tonë të Kongresit ashtu edhe për Bibliotekën tuaj Kombëtare. Por të përbashkëta, ato mund ta përmbushin këtë objektiv duke bashkëpunuar në ruajtjen dhe ekspozimin e këtij thesari si para popullit të vet ashtu edhe para botës”.

 
 
Në emër të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Prof. Dr. Persida Asllani, përshëndeti hapjen e kësaj veprimtarie, duke e cilësuar komunikimin përmes librit si një nga proceset njohëse më të sigurta e shpesh edhe estetike (duke iu referuar veçanërisht në formë homazhi botimeve të “Rilindjes” së Prishtinës) dhe e ftoi publikun e Prishtinës të çmojë veprën, dorëshkrimet, fotografitë e shkrimet publicistike të dy figurave të shquara letrare, politike e shoqërore të mbarë botës shqiptare.
   
 

Me rastin e Javës, si një veprimtari që është e lidhur ngushtë me kulturën, librin e bibliotekat, Biblioteka Kombëtare ndau mirënjohje për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si vlerësim për përkrahjen që kjo ministri po ofron, duke ndarë buxhet shtesë për të përkrahur projektet e këtij institucioni.
Sivjet çmimi për lexues të dalluar, çmim që jepet për punë, respektim të kodit të mirësjelljes e integritetit të lartë prej lexuesi dhe qasjes së tij në bibliotekë, i është dhënë Ardian Mustafës, Student i Fakulteti Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Javës e Bibliotekës në Kosovë u nis me hapjen e ekspozitës “Noli/Konica, album i një bashkëkohësie”. Kjo ekspozitë është sjellë në Prishtinë nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në përkujtim të 50-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit dhe 140-vjetorit të lindjes së Faik Konicës.
Ligjërata e parë, pasdite, ishte e Carrie Marsh, Drejtoreshë e Koleksioneve dhe e Bibliotekave të Veçanta, Biblioteka e Kolegjeve të Klaremontit, Klaremont (Kaliforni, ShBA): “Çka është koleksion i veçantë dhe çka janë koleksionet e veçanta?”. Më pas, Dr. Etleva Domi, nëndrejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, trajtoi aspekte të “Trashëgimisë kulturore kombëtare në arenën e ‘demokracisë’ digjitale”, Lavdie Rrahmani (Biblioteka Qendrore Universitare e Universitetit të Prishtinës): “Materialet e rralla - disa faktorë që determinojnë raritetin”, Fazli Gajraku (Biblioteka Kombëtare e Kosovës): “Realiteti i fshirë i Kosovës”.
Gjatë kësaj jave do të organizohen veprimtari kulturore të veçanta në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, në bibliotekat rajonale të Prizrenit, të Gjilanit dhe të Pejës, duke përfshirë këtu edhe aktivitetet në Këndin Amerikan në Prishtinë e Prizren.
 
 
 


 
     
 
 
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014