» JAVA E BIBLIOTEKËS NË KOSOVË 2015

     
 
 

Prishtinë, 14 prill 2015

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” hapi sot edicionin e trembëdhjetë të Javës së Bibliotekës në Kosovë, veprimtari kjo që do të mbahet gjatë kësaj jave nga 14 deri më 18 prill. Është kjo veprimtari e cila përkrahet dhe për të cilën ka një përkujdesje të veçantë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e cila gjatë këtyre trembëdhjetë viteve ka qenë shprehje e vullnetit dhe e përkushtimit të komunitetit bibliotekar për t’u bashkuar në idenë si t’i zhvillojmë bibliotekat, si të grumbullojmë, përpunojmë e ruajmë kulturën e dijen e shkruar e të shtypur.

 

 
 
Në hapje të Javës, U.d. i Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës - Tefik Mehmeti, falënderoi Ambasadën Amerikane për përkrahje të kësaj veprimtari dhe, po ashtu Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë për bashkëpunim e mbështetje profesionale. Ai theksoi se Java e Bibliotekës në Kosovë është një veprimtari që po ua kthen vështrimin kah biblioteka – institucioneve që i financojnë dhe i mbështesin ato. Java po aktualizon dhe promovon rëndësinë që kanë bibliotekat për shoqërinë e kulturimin e saj, në kuptimin arsimor, social, politik e ekonomik. Këtë Javë, siç tha ai, priten rezultate në dialogun kulturor të kërkimit të kulturës së shkruar dhe arkivimin e dokumenteve të së kaluarës së Kosovës.

 
 
Në emër të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë, përshëndeti zoti Jeffrey Jamison, Drejtor i Sektorit për Marrëdhënie me Publikun. Z. Jamison e përgëzoi Bibliotekën e Kombëtare dhe bibliotekat pjesëmarrëse të mbarë Kosovës që e kanë rritur dhe zhvilluar Javën e Bibliotekës në një aktivitet profesional për bibliotekarë dhe specialistë të fushave. Për temën kryesore të Javës së sivjetme të Bibliotekës - Koleksionet e veçanta: trashëgimi kulturore dhe intelektuale e Kosovës, z. Jamison tha se “kjo është një temë që e lidh secilën bibliotekë në Kosovë pasi çdonjëra prej tyre ka diçka që t’i ofrojë trashëgimisë së Kosovës.
   
 
Si të veçanta, asnjëra prej tyre nuk mund të pretendojë se e ruan thesarin e plotë të këtij vendi. Ky është një fakt i vërtetë si për Bibliotekën tonë të Kongresit ashtu edhe për Bibliotekën tuaj Kombëtare. Por të përbashkëta, ato mund ta përmbushin këtë objektiv duke bashkëpunuar në ruajtjen dhe ekspozimin e këtij thesari si para popullit të vet ashtu edhe para botës”.

 
 
Në emër të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Prof. Dr. Persida Asllani, përshëndeti hapjen e kësaj veprimtarie, duke e cilësuar komunikimin përmes librit si një nga proceset njohëse më të sigurta e shpesh edhe estetike (duke iu referuar veçanërisht në formë homazhi botimeve të “Rilindjes” së Prishtinës) dhe e ftoi publikun e Prishtinës të çmojë veprën, dorëshkrimet, fotografitë e shkrimet publicistike të dy figurave të shquara letrare, politike e shoqërore të mbarë botës shqiptare.
   
 

Me rastin e Javës, si një veprimtari që është e lidhur ngushtë me kulturën, librin e bibliotekat, Biblioteka Kombëtare ndau mirënjohje për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si vlerësim për përkrahjen që kjo ministri po ofron, duke ndarë buxhet shtesë për të përkrahur projektet e këtij institucioni.
Sivjet çmimi për lexues të dalluar, çmim që jepet për punë, respektim të kodit të mirësjelljes e integritetit të lartë prej lexuesi dhe qasjes së tij në bibliotekë, i është dhënë Ardian Mustafës, Student i Fakulteti Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Javës e Bibliotekës në Kosovë u nis me hapjen e ekspozitës “Noli/Konica, album i një bashkëkohësie”. Kjo ekspozitë është sjellë në Prishtinë nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në përkujtim të 50-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit dhe 140-vjetorit të lindjes së Faik Konicës.
Ligjërata e parë, pasdite, ishte e Carrie Marsh, Drejtoreshë e Koleksioneve dhe e Bibliotekave të Veçanta, Biblioteka e Kolegjeve të Klaremontit, Klaremont (Kaliforni, ShBA): “Çka është koleksion i veçantë dhe çka janë koleksionet e veçanta?”. Më pas, Dr. Etleva Domi, nëndrejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, trajtoi aspekte të “Trashëgimisë kulturore kombëtare në arenën e ‘demokracisë’ digjitale”, Lavdie Rrahmani (Biblioteka Qendrore Universitare e Universitetit të Prishtinës): “Materialet e rralla - disa faktorë që determinojnë raritetin”, Fazli Gajraku (Biblioteka Kombëtare e Kosovës): “Realiteti i fshirë i Kosovës”.
Gjatë kësaj jave do të organizohen veprimtari kulturore të veçanta në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, në bibliotekat rajonale të Prizrenit, të Gjilanit dhe të Pejës, duke përfshirë këtu edhe aktivitetet në Këndin Amerikan në Prishtinë e Prizren.
 
 
 


» MË 14 - 18 PRILL - EDICIONI XIII I JAVËS SË BIBLIOTEKËS NË KOSOVË

     
 
 

Prishtinë, 2 prill 2015

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë, nga 14 deri më 18 prill 2015, do të organizojnë Edicionin e trembëdhjetë të Javës së Bibliotekës në Kosovë.
Gjatë kësaj Jave do të organizohen veprimtari kulturore të veçanta në disa biblioteka të Kosovës: Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, në bibliotekat rajonale të Prizrenit, të Gjilanit dhe të Pejës, duke përfshirë këtu edhe aktivitetet në Këndin amerikan në Prishtinë e Prizren.

 

 
 
Në përbërje të këtyre aktiviteteve do të ketë ligjërata dhe sesione, në të cilat do të referojnë njohës dhe ekspertë të fushave të caktuar nga ShBA, Shqipëria e Kosova. Një kontribut shkencor dhe përvojë të veçantë do të japin me ligjërata edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Gjatë kësaj Jave do të trajtohen tema të veçanta që përkojnë me problematika që lidhen me zhvillimin e mendimit profesional në fushën e shkencës së bibliotekarisë e të arkivimit të kulturës shkrimore e materiale, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në dijen për mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen e koleksioneve të rralla dhe të vjetra, si pjesë identitare e trashëgimisë kulturore e intelektuale të një vendi.
Veprimtaria e Javës përfshin edhe aktiviteteve të tjera, si: nënshkrime të marrëveshjeve me interes për bibliotekat, hapje të bibliotekave të reja në disa shkolla të Kosovës, donacione me materiale - libra e dorëshkrimeve, si dhe ekspozita të veçanta të librit e të fotografisë, që do të hapen nëpër këto qendra të Kosovës.
Ky edicion i Javës pritet të kurorëzohet me të arritura të prekshme, duke sensibilizuar opinionin kulturor dhe institucionet për një vëmendje e përkushtim për zhvillimin e koleksioneve të rralla e të vjetra.
 
     
 

» MINISTRI I DIASPORËS TAKOI U.D. TË DREJTORIT TË BIBLIOTEKËS KOMBËTARE TË KOSOVËS - TEFIK MEHMETI

     
 
 

Prishtinë, 26 mars 2015

Ministri i Diasporës - Valon Murati, është takuar me u.d. të drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” - Tefik Mehmeti, me të cilin ka biseduar për mundësitë që ka kjo bibliotekë për të mbështetur projektet për hapje të bibliotekave, përkatësisht kënde të librave nëpër qendrat kulturore shqiptare, në mënyrë që diaspora shqiptare ta ketë më afër – aty ku jeton, dijen dhe kulturën që krijohet në atdheun e tyre.

 

 
 
Ministri Murati ka shpalosur idetë dhe programet që po krijon kjo ministri për të intensifikuar komunikimin e njëmend kulturor me diasporën, duke ndërmarrë iniciativa e projekte konkrete, siç është ideja për ta ofruar librin shqip afër nxënësve, studentëve e punëtorëve që jetojnë e punojnë jashtë Kosovës.
Tefik Mehmeti ka shprehur gatishmërinë për të përkrahura këtë iniciativë në përputhje me përgjegjësitë që ka Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Ai i ka ofruar ministrit informacion për mundësitë dhe kapacitetet profesionale që ka kjo bibliotekë për të ndihmuar projekte të tilla me rëndësi kulturore.
 
         

» TAKIM MIDIS UDHËHEQËSVE TË BIBLIOTEKAVE NACIONALE TË KOSOVËS DHE TË SHQIPËRISË

     
 
 

Tiranë, 20 mars 2015

Në kuadër të intensifikimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit ndërbibliotekar, U. d. i Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës - Tefik Mehmeti, është pritur në Tiranë nga drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë - Dr. Persida Asllani.

Në këtë takim është folur për modalitetet e bashkëpunimit midis dy bibliotekave nacionale. Bisedat në këtë takim janë përqendruar në idenë e ruajtjes së traditës së bashkëpunimit, duke kërkuar qartësisht që, nëpërmjet rrugëve ligjore, të krijohet një qëndrueshmëri e marrëdhënieve dhe e bashkëpunimit, për të realizuar projektet e përbashkëta që u përshtaten interesit dhe përfitimit të të dy bibliotekave.

 

 
 
Në këtë takim, gjithashtu, është biseduar edhe për format konkrete të bashkëpunimit që vijojnë të zhvillohen midis këtyre dy bibliotekave, si: marrëveshja për shkëmbim të koleksioneve, për zhvillimin dhe pasurimin e Portalit Albanologjik, si dhe marrëveshja për arsimim të kuadrit bibliotekar të Kosovës.
Drejtoresha Asllani, ka shprehur vullnetin që, në kushte dhe rrethana të favorshme, të jetësohet marrëveshja për shkollimin e bibliotekarëve nga Kosova në Shqipëri.
U. d. i Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës - Tefik Mehmeti, ka ftuar drejtoreshën Asllani për pjesëmarrje në Javën e Bibliotekës në Kosovë, që mbahet më 14-18 prill, për të dhënë kontributin në këtë veprimtari të rëndësishme kulturore për librin dhe bibliotekat.
 
     
 

» TEFIK MEHMETI, U. D. I DREJTORIT TË BIBLIOTEKËS KOMBËTARE TË KOSOVËS, PRITET NGA KRYETARI I KOMUNËS SË LIPJANIT

     
 
 

Prishtinë, 11 mars 2015

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës - Tefik Mehmeti, së bashku me bashkëpunëtorët, është pritur sot nga z. Imri Ahmeti, kryetar i Komunës së Lipjanit. Vizita është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit dhe të përkrahjes së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për bibliotekat publike dhe shkollore të Kosovës.

Kryetari Ahmeti ka shprehur vullnetin që të investojë në fushën e kulturës, të librit dhe të bibliotekave, në kuadër të kësaj komune. Me këtë rast, Tefik Mehmeti, U. d. i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, e informoi kryetarin Ahmeti se, në kuadër të veprimtarisë së Javës së Bibliotekës në Kosovë, në muajin prill të këtij viti, me ndihmën dhe përkrahjen e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, do të hapet biblioteka shkollor e Shkollës së Mesme të Ulët “Ismail Luma” në Lipjan.

 

Z. Tefik MEHMETI, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në takim me stafin e Shkollës së Mesme të Ulët “Ismail Luma” në Lipjan

 
 
 
     
 

» MINISTRI KUJTIM SHALA VIZITOI BIBLIOTEKËN KOMBËTARE TË KOSOVËS

     
 
 

Prishtinë, 14 janar 2015

Ministri Shala, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit të tij, vizitoi sot Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Zoti Shala u prit nga Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të kësaj biblioteke, z. Tefik Mehmeti, i cili e njoftoi ministrin me punët dhe aktivitetet që po realizohen, si dhe me projektet që pritet të zbatohen gjatë këtij viti në fushën e infrastrukturës dhe në fushat që lidhen me rolin dhe detyrat e bibliotekës. Përballë sfidave të jashtëzakonshme që ka ky institucion, z. Mehmeti tregoi, gjithashtu, edhe për përkushtimin që kanë punëtorët e këtij institucioni që të luajnë rolin e tyre në cilësinë e punës në këtë institucion.
Ministri Shala, duke shprehur kujdesin për forcimin e rolit të bibliotekës, kërkoi angazhim të drejtuesve dhe stafit të bibliotekës, si dhe premtoi përkrahje dhe ndihmë konkrete për t’i ardhur në ndihmë Bibliotekës Kombëtare, që të çohen përpara me ritëm dhe cilësi proceset në këtë institucion të rëndësishëm të kujtesës nacionale.

 

Z. Kujtim SHALA, Ministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Z. Tefik MEHMETI, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”

 
 
 
         
 
     
 
» TEFIK MEHMETI EMËROHET USHTRUES I DETYRËS SË DREJTORIT TË BIBLIOTEKËS KOMBËTARE TË KOSOVËS "PJETËR BOGDANI”

     
 
 

Prishtinë, 28 dhjetor 2014

Me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe me rekomandim të Këshillit Drejtues të Bibliotekës, Tefik Mehmeti është caktuar, nga data 26. 12. 2014, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. I njëjti, që nga viti 2003, ka qenë ndihmësdrejtor i kësaj biblioteke.
U.d. i Drejtorit ushtron detyrën në mbështetje të nenit 145 (paragrafi 2), të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe të rekomandimit të Këshillit Drejtues me nr. 5266/2014, i dt. 22. 12. 2014.
Sipas këtij vendimi, Tefik Mehmeti ushtron detyrën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit deri në zgjedhjen e drejtorit të ri

 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”

 
         
     
 
 
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014