Historiku i Bibliotekës
 

 

 

   
   
   
   
   
 


Historiku

Qendra, fillimisht, po funksionon, në mungesë të një ndërtese të re, në kushtet e përshtatjes me Bibliotekën Kombëtare, duke përmbushur nevojat në mënyrë të planifikuar. Kështu, Qendra e Bibliotekës Universitare është duke koordinuar punën në mënyrë më të përshtatshme me Bibliotekën Kombëtare, duke ruajtur një balans pothuajse të përkryer mes QBU-së dhe BKUK-së, si: zhvillimin e përbashkët të koleksioneve, një katalogu të përbashkët të koleksioneve bibliotekare, koordinim të politikave të qarkullimit dhe huazimit, ofrimin e shërbimeve të përbashkëta referale, etj. Pra, QBU do të jetë fleksibile në raport me BK, siç do të jetë, natyrisht, edhe me ndryshimet në planprograme (zhvillimin e koleksioneve) dhe në qasje ndaj dijes dhe ndryshimeve të përgjithshme në Universitetin e Prishtinës.

Themelimi i Qendrës së Bibliotekës Universitare u monitorua nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, ndërsa ndihmë të madhe dha edha Zyra Amerikane në Prishtinë, nëpërmjet një seri projektesh, në mbështetje të themelimit, por dhe të vizionit dhe misionit që do ta ketë në të ardhmen kjo Qendër.

Projektet, të cilat, përveç rimëkëmbjes dhe zhvillimit të BKUK-së, kishin synim të krijonin kushte që të jetësohet ideja për themelimin e Bibliotekës Universitare, filluan në vitin 2002. Në këtë kohë, me ndihmën e Zyrës Amerikane, erdhi eksperti amerikan - dr. Kenneth J. Oberembt, i cili, përveç që udhëhoqi BKUK-në, hartoi edhe librin “Planin strategjik për zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare dhe të Bibliotekës Universitare”. Ky ishte plani që, përveç të tjerash, përmbante edhe rekomandime dhe ide për zhvillimin e Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës. Në rrjedhë të këtyre përkrahjeve, në vitin 2005, me ndihmën e Zyrës Amerikane në Prishtinë u dërguan nëntë veta nga Kosova për në ShBA, në një program katërmujor me karakter akademik dhe trajnuesnëlëmin e bibliotekarisë. Programi në ShBA u udhëheq nga Instituti për Trajnim dhe Zhvillim (ITD) dhe Kolegji Simmons (Simmons College) në shtetin e Massachussetts. Kandidatët sollën në Kosovë njohuri të reja nga fusha e shërbimit të referencave, zhvillimit të koleksioneve, teknologjisë së informacionit, arkivimit, ruajtjes dhe menaxhimit të materialeve, mënyrës së menaxhimit në përgjithësi, si dhe të katalogimit e vlerësimit të informacioneve.

Ky projekt më pastaj, në muajin korrik të vitit 2006 u përkrah edhe me një ndihmë shtesë nga Zyra Amerikane, me ardhjen në BKUK të një grupi ekspertësh amerikanë – të prirë nga Terry Plum nga Kolexhi Simmons, të cilët ndihmuan me këshillime dhe ndihmë në planifikim dhe përgatitje të shërbimeve të Qendrës së Bibliotekës Universitare. Qendra e Bibliotekës Universitare, në këtë kohë, e ndihmuar edhe me dhënien e një donacioni nga Zyra Amerikane, ka paguar për abonim, për periudhën e ardhshme trevjeçare, burimet elektronike të EBSCO-s dhe Gale, si dhe ka blerë një numër të konsiderueshëm të librave universitarë dhe të atyre referalë.

Qendra e Bibliotekës Universitare do të jetë në shërbim të të gjithë studentëve e personelit të Universitetit të Prishtinës, si dhe hulumtuesve dhe studiuesve të ndryshëm nga vendi e bota. QBU po punon në fushën e mbledhjes dhe të zhvillimit të koleksioneve dhe mbështetjes së programeve për përdorues, duke iu përmbajtur planprogramit mësimor të Universitetit të Prishtinës; aftësimit të personelit dhe të përparimit të teknologjisë në hapësirat e saja për t’i plotësuar kërkesat e kohës.
QBU është krijuar bibliotekë e tipit të hapur, ku janë radhitur materialet e saja nëpër rafte sipas lëndëve, në mënyrë që studentët të mund të gjejnë edhe libra të tjerë më të dobishëm se sa ata për të cilat kanë shkuar në bibliotekë për të kërkuar. Të gjitha koleksionet e saja janë të radhitura sipas Klasifikimit Universal Decimal, i cili mundëson radhitjen e koleksioneve në bazë të lëmisë.

Qendra e Bibliotekës Universitare ka filluar tashmë me një varg shërbimesh të reja për përdoruesit e bibliotekës, nëpërmjet Sektorit të Referencave, Sektorit të Koleksioneve Lëndore, shërbimit të qasjes në kompjuterë, dhe burime elektronike.
Shërbimi i Referencave tashmë është përgatitur si në aspektin teknik ashtu edhe në aspektin profesional që të jetë në shërbim të studentëve. Koleksionet referale, të cilat janë afër tavolinës së referencës, përfshijnë fjalorë, enciklopedi, almanak dhe materiale të tjera, ndërsa nga kompjuterët mund të qaseni edhe në burimet elektronike.

Këndi (salla) e kompjuterëve, tashmë është e gatshme për përdoruesit për qasje publike në internet, përkatësisht në burimet elektronike si dhe në burimet e hapura në Internet. Personeli i cili shërben në këtë kënd dhe tavolinën referale janë të gatshme me udhëzime për studentë si në kërkimin dhe shfrytëzimin e burimeve elektronike ashtu edhe në aspektin teknik të përdorimit të kompjuterit.

Sektori i Koleksioneve Lëndore deri më tani ka arritur të mbledh një pjesë të konsiderueshme të materialeve të cilat janë propozuar nga profesorët e Universitetit të Prishtinës. Ky sektor është krijuar për të mbështetur planprogramin e Universitetit të Prishtinës dhe për t’i ardhur në ndihmë sa më të shpejt studentëve në sigurimin e informacioneve nga tekstet e obliguara për një lëndë të caktuar. Ky koleksion fillestar përbëhet prej 110 titujve i cili vazhdimisht do të rritet me thellimin e bashkëpunimit të këtij sektori me personelin akademik të Universitetit të Prishtinës.

Një pjesë e këtyre titujve janë siguruar nga kopjet duplikate të cilat gjenden në BKUK, ndërsa pjesa tjetër është blerë muajt e fundit - botime të reja kryesisht në gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze. Përzgjedhja e këtyre titujve është në përputhje me programin akademik të Universitetit të Prishtinës, që përfshin të gjitha lëndët që janë në planprogramin e këtij Universiteti dhe që do të mund t’i plotësonin nevojat për zhvillimin e procesit mësimor. Deri më tash është bërë një mbledhje e konsiderueshme e koleksioneve, që përfshijnë lëndët akademike - në një përzgjedhje të materialeve më të reja për lexim, studim e hulumtim. QBU, që të pasurojë koleksionin lëndorë me tituj të tjerë, do të jetë e lidhur ngushtë me programin akademik të UP dhe koleksionet e saj do të përfshijnë të gjitha lëndët që janë në planprogramet e Universitetit me motivin për t’i plotësuar nevojat për zhvillimin e procesit mësimor. Pra, QBU po mbështet tash fillimisht fakultetet në procesin e mësimdhënies, por edhe studentët në procesin e mësimit, me një program të qartë për freskimin sistematik të koleksionit bibliotekar.

Qendra e Bibliotekës Universitare do të fillojë edhe me shërbimet e dhënies së udhëzimeve, pasi që është në proces të hartimit të rregulloreve, udhëzuesve dhe instruksioneve për procese të ndryshme të punëve në bibliotekë, shërbimeve që ofrohen, përdorimin e burimeve elektronike, orientim për studentët e rinj për përdorimin e bibliotekës, fondeve të hapura, dhe mundësinë për të huazuar materialet bibliotekare jashtë bibliotekës. QBU për ta bërë një paraqitje sa më të fuqishme të autoritetit të saj, është në fazën e konsultimeve për:

  • implementimin e një sistemi të integruar bibliotekar, nëpërmjet të të cilit do të lidhen bibliotekat e departamenteve të fakulteteve të Prishtinës dhe të Shkollave të Larta, për të zhvilluar një sistem unik të bibliotekave, më qëllim të shkëmbimit të informacioneve, zhvillimit të rregulloreve, hartimin dhe implementimin e projekteve të përbashkëta, si dhe planifikimin e iniciativave të reja në të mirë të të gjithë sistemit bibliotekar të UP-së.
  • të jepen në huazim koleksionet e QBU-së, qoftë përdoruesve (studentëve) veç e veç, qoftë bibliotekave degë të fakultetit, të cilave u nevojiten ato për të mbështetur planprogramin mësimor; në fazat e mëvonshme të koordinojë huazimin ndërbibliotekar mes bibliotekave të fakulteteve, po ashtu edhe të bibliotekave rajonale të Kosovës;
  • të menaxhojë dhe zgjerojë abonimin edhe me burime të tjera të ëndësishme elektronike, me ambicien që koleksionet elektronike për një kohë të zënë vendin kryesor.

Qendra e Bibliotekës Universitare, me shërbimet e saj, do të ndjekë modelin e bibliotekave amerikane ‘biblioteka në shërbim të përdoruesit’.
QBU, përveç që do të jetë pjesë e projekteve dhe proceseve të përbashkëta me BKUK, pritet të fitojë përkrahjen edhe më tej të MASHT-it dhe të Rektoratit, me synimin që të krijohet një partneritet i fuqishëm me Universitetin e Prishtinës, për të cilin edhe ekziston Qendra Biblioteka Universitare.
Ju falënderojmë që e keni vizituar faqen tonë të internetit dhe ju ftojmë që këtë faqe ta ruani në kompjuter!

Ju ftojmë që bibliotekën tonë ta vizitoni edhe fizikisht!

Mirë se vini!