Granti i Zyrës së SHBA
 
   
   
   
   
   
 


Kontributi i Zyrës Amerikane për krijimi i Qendrës së Bibliotekës Universitare të Prishtinës

Gjatë kësaj periudhe, dr. Ken, përveç kontributit dhënë BKUK-së dhe kontributit të tij në fushën e menaxhimit të bibliotekës, hartoi librin “Planin strategjik për zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare dhe për Bibliotekën Universitare”, i cili tash për tash është dokumenti më i rëndësishëm, nëpërmjet të cilit jepen rekomandime dhe ide, përveç të tjerash, edhe për zhvillimin e Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës.

Në kuadër të mbështetjes së këtij plani, në të cilin parashihej edhe përgatitja e profesionale e bibliotekarëve që do të merrnin përgjegjësinë e themelimit, si dhe të zhvillimit të Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës, në vitin 2005, Zyra Amerikane në Prishtinë mbështeti projektin me vlerë rreth 350 mijë dollarë amerikan, duke dërguar nëntë veta nga Kosova për në ShBA, në një program katërmujor me karakter akademik dhe trajnues. Datat e programit ishin nga 21 gusht deri më 16 dhjetor 2005. Ky projekt në SHBA u udhëheq nga Julie Hooks Davis, drejtoreshë e programit në Institutin për Trajnim dhe Zhvillim (ITD) dhe Terry Plum, ndihmësdekan në Kolexhin Simmon të Bostonit - dega në Mount Holyoke.

Gjatë kësaj kohe, bibliotekarët nga Kosova, përveç njohjes me praktikat e reja në bibliotekarinë amerikane, arritën të realizojnë edhe njohuri teorike në fusha specifike të bibliotekarisë, njohuri këto që do të gjejnë realizim gjatë formimit dhe zhvillimit të Bibliotekës Universitare. Pra, programi përbëhej prej dy pjesëve: programit akademik në Kolexhin Simmons në Boston dhe Mount Holyoke, si dhe pjesës praktike të realizuar në Institutin për Trajnim dhe Zhvillim (ITD), si dhe në disa biblioteka të tipave të ndryshëm, përfshirë Bibliotekën e Kongresit, bibliotekat e Universitetit të Harvardit, Brandeis, MIT, Smith, UMass, Amherst, Mount Holyoke, etj.

Ky projekt u mbështet edhe në vijim, pas kthimit në Kosovë të bibliotekarëve kosovarë. Me financimin e Zyrës Amerikane, një grup ekspertësh bibliotekarë të lëmenjve të ndryshëm, si: Terry Plum nga Kolexhi Simmons, Brian Kysela nga Kolexhi në Mount Holyoke, Rebecca Henning nga Kolexhi Amherst dhe Pamela Skinner nga Kolexhi Smith, erdhën në Kosovë për të ndihmuar në planifikim dhe përgatitje të shërbimeve të Qendrës së Bibliotekës Universitare.

Mbështetja e Zyrës Amerikane vijoi edhe me ndihmën prej 70.000 dollarë amerikanë, mjete këto që u dedikuan për blerjen e burimeve elektronike për Kosovë, për periudhën e ardhshme trevjeçare, si dhe për blerjen e librave universitarë dhe të atyre referal.

Ky kontribut i madh i Zyrës Amerikane është shprehje edhe e sensibilitetit që ka pasur Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Zyrës Amerikane në Prishtinë për përkrahjen e projekteve arsimore në Kosovë, në përgjithësi, dhe të bibliotekarisë, në veçanti, si dhe të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, e cila shpreh mirënjohje të veçantë për ndihmën që po i jepet bibliotekës.