» Shërbimi i Huazimit dhe Shërbimi i Fotokopjes
     

 

Shërbimi i Huazimit dhe Shërbimi i Fotokopjes

1. Huazimi i koleksioneve të përgjithshme të BKUK-së

Huazimi i Koleksioneve të përgjithshme të Bibliotekës bëhet vetëm brenda hapësirës së BKUK-së. Kjo formë e huazimit për Bibliotekën Kombëtare është e rregulluar me Ligjin për Bibliotekat të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Ju mund të huazoni deri në 3 njësi (libra apo materiale të tjera) në të njëjtën kohë. Koha e huazimit zgjat prej momentit të huazimit deri në fund të ditës, d.m.th. deri në fund të orarit të punës së asaj dite në Bibliotekë.
Shërbimi i Huazimit/Porosisë së librit punon prej orës 8:00 deri 16:00

» Rezervimi

 Nëse keni nevojë që materialin e huazuar ta shfletoni më gjatë se një ditë, atëherë ju mund ta rezervoni atë për ditët në vijim te tavolina e rezervimit, ku shkruna: QARKULLIMI. Nëse materialin e rezervuar nuk paraqiteni ta shfrytëzoni brenda dy ditësh me radhë, ditën e tretë materiali do të kthehet në fond. Për ta shfrytëzuar atë material përsëri, ju duhet ta bëni porosinë e re.

Orari i Shërbimit të Rezervimit është prej 7:00 deri 20:00

 

» Procedura e huazimit/porosisë në Koleksionet e Përgjithshme

 Për të bërë huazimin e materialeve, ju duhet të jeni anëtarë i Bibliotekës dhe të paraqitni dëshmi në rast të bërjes së porosisë. Ju duhet t’i përcillni hapat e mëposhtëm për të bërë një porosi:

Keni të gatshme kartelën e anëtarësimit për të dëshmuar anëtarësinë;

  1. Kërkoni materialin në mënyrë të pavarur përmes katalogut elektronik, skedarëve, apo kërkoni ndihmë nga bibliotekarët në Shërbimin e Referencës - INFORMACIONI & REFERENCA;
  2. Kërkoni reversin (një formular) nga bibliotekarët në Shërbimin e Referencës dhe plotësojeni atë;
  3. Dorëzojeni formularin e plotësuar te tavolina e qarkullimit, në këndin ku shkruan: QARKULLIMI, në mënyrë që materiali i kërkuar të kërkohet nga depoja;
  4. Përgatituni që të prisni deri 15 minuta, që porosia juaj të arrijë;
  5. Ju mund të uleni në ulësen tuaj, dhe me të ardhur materiali i porositur do t’ju sillet tek ulësja juaj;
  6. Ju duhet të lini një dokument tuaj identifikimi (indeks, letërnjoftim) te: INFORMACIONI & REFERENCA, me rastin e pranimit të materialit në huazim;
  7. Materialin duhet ta ktheni te: QARKULLIMI, pas shfrytëzimit, në fund të orarit të punës së Bibliotekës.  

2. Huazimi i Koleksioneve të Veçanta

Nëse materialin të cilin e kërkoni i përket Koleksioneve të Veçanta, atëherë kërkohen procedura të veçanta për ta shfrytëzuar atë material.

Pasi ta keni identifikuar materialin, ju duhet të drejtoheni te shefi i Departamentit të Koleksioneve të Veçanta në katin e dytë, zyra nr. 30.

» Procedurat

Keni të gatshme kartelën e anëtarësimit për të dëshmuar anëtarësinë tuaj;

  1. Kërkoni materialin në mënyrë të pavarur përmes katalogut elektronik, apo kërkoni ndihmë nga bibliotekarët në Shërbimin e Referencës: INFORMACIONI & REFERENCA;
  2. Kërkoni reversin (një formular) nga bibliotekarët në Shërbimin e Referencës dhe plotësojeni atë;
  3. Paraqituni te shefi i Departamentit të Koleksioneve të Veçanta;
  4. Mund të ju kërkohet që për materialin e kërkuar të vini ta shfrytëzoni të nesërmen për shkak të procedurave të kontrollit në Bibliotekë;
  5. Mund të ju kërkohet që materialin e kërkuar ta shfrytëzoni kryesisht në prani të bibliotekarit;
  6. Ju duhet të lini një dokument identifikimi me rastin e shfrytëzimit të materialeve të Koleksioneve të Veçanta.  

» Si do t’i identifikoni se cilat materiale u përkasin Koleksioneve të Veçanta?

Nëse kërkoni në katalogun elektronik, të gjitha materialet (njësitë) të cilat u takojnë Koleksioneve të Veçanta e kanë emërtimin në mënyrë të qartë “Koleksione të Veçanta”, si dhe statusi i tyre i huazimit është i vendosur në - “i kufizuar”.
Nëse kërkoni në skeda, atëherë numri i signaturës në skedë është i shoqëruar me shkronja që shprehin koleksionet: R - libri i rrallë; H - koleksioni i hartave; M - koleksioni i muzikaleve; M - koleksioni i muzealeve; PM - koleksioni i magjistraturave; PD - koleksioni i disertacioneve të doktoratave etj.

3. Huazimi i materialit referal

Materialet referale që përbëjnë: fjalorë, enciklopedi, almanakë, bibliografi, materiale konsultative, etj., mund të gjenden në rafte të emëruara: Koleksioni referal te: INFORMACIONI & REFERENCA dhe mund të shfrytëzohen në atë hapësirë pa ndonjë procedurë të bërjes së porosisë.

Pas shfrytëzimit të materialeve në atë hapësirë, ju lutem lini materialin mbi tavolinë. Bibliotekarët pastaj kujdesen për ta vendosur në vendin e duhur.

Huazimi i materialeve referale të cilat gjenden në depo të Bibliotekës bëhet në procedura të rregullta si i Koleksioneve të Përgjithshme (shih më lart).

4. Huazimi i materialeve nga Qendra e Bibliotekës Universitare

Materialet e Koleksioneve lëndore të Qendrës së Bibliotekës Universitare mund të huazohen në një periudhë kohore prej 3 orësh. Materialet e këtij koleksioni mund të huazohen vetëm nga studentët. Periudha e huazimit të materialit nga ky koleksion mund të ripërtërihet nëse e njëjta njësi (material) nuk kërkohen në ndërkohë.
Huazimi i materialeve të tjera të Qendrës së Bibliotekës Universitare u nënshtrohet të gjitha rregullave të huazimit të Koleksioneve të Përgjithshme të BKUK-së (shih më lart).  

5. Biblioteka e Këndit Amerikan

6. Huazimi/shfrytëzimi i materialeve elektronike

Shfrytëzimi i materialeve elektronike në të cilat ka abonim BKUK, bëhet përmes internetit. Duhet të kihet parasysh se disa prej materialeve mund të shfrytëzohen vetëm duke i përdorur kompjuterët brenda hapësirës së Bibliotekës. Disa të tjera mund të shfrytëzohen edhe nga jashtë përderisa ju jeni të pajisur me elementet e nevojshme identifikuese për shfrytëzimin e tyre: identifikuesin e përdoruesit dhe fjalëkalimin (shih Athens-in - broshurë e botuar nga BKUK). Nëse nuk e keni një gjë të tillë apo nuk e keni marrë me rastin e anëtarësimit, ju lutem paraqituni te INFORMACIONI & REFERENCA.
Me rastin e shfrytëzimit të materialeve elektronike, anëtarët e BKUK-së duhet të jenë të vetëdijshëm se materialet e tilla duhet të shfrytëzohen për nevojat e tyre personale arsimore, shkencore, kulturore, etj. Ato nuk mund të përdoren për nevoja komerciale.

7. Shërbimi i Fotokopjes

Shërbimi i Fotokopjes gjendet pranë Tavolinës së Qarkullimit dhe është në dispozicion të përdoruesve.

Ju nuk mund të fotokopjoni tërë materialin në të cilin jeni të interesuar.

Mund të fotokopjoni deri në 30 - faqe të librit.

  • Fotokopjimi është me pagesë. Çmimi për faqe A4 është 5 euro cent. Çmimi për faqe për A3 është 10 euro cent.
  • Mund të keni kufizime më të mëdha në fotokopjimin e materialeve që i përkasin Koleksioneve të veçanta.

Orari i Shërbimit të Fotokopjes është prej orës 8:00 deri 16:00

Vërejtje të përgjithshme

Me rastin e huazimit të materialit, përdoruesi që huazon është përgjegjës për ruajtjen e materialit të huazuar. Huazimi i materialeve të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, përveç një pjese të koleksioneve të Bibliotekës së Këndit Amerikan, jashtë ambienteve të Bibliotekës është joligjor. Tentimi për të marrë materialin jashtë ambienteve të saj, aktivizon alarmin dhe pasojnë masat disiplinore me humbje të së drejtës për të shfrytëzuar shërbimet e BKUK-së.

Ju falënderojmë për përdorimin e kujdesshëm dhe ruajtjen e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, të cilat janë pjesë e trashëgimisë kulturore, historike e intelektuale të vendit.