» Koleksionet e BKK-së pasurohen me libra të shkrimtarit Aleks Buzo

     
 
 

Prishtinë, 13 korrik 2018

Ish-ambasadori i Kosovës në Australi, Dr. Sabri Kiçmari, vizitoi drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Fazli Gajraku, me ç’rast i dhuroi Bibliotekës gjashtë tituj të librave të shkrimtarit të njohur australian me prejardhje shqiptare, Aleks Buzo.
Aleks Buzo është një nga shkrimtarët më të njohur australian. Ai ka lindur në Sydney më 23 Korrik 1944. Shkollimin fillor e kreu në Australi, kurse shkollimin e mesëm në Gjenevë – Zvicër. Ndërkaq, studimet e larta i përfundoi në Universitetin e New South Wales në Sydney.
Aleks Buzo botoi dramën e parë, ”Norm dhe Ahmedi’, që ishte ndër të parët autorë që ngriti diskriminimin e emigrantëve në Australi dhe zgjoi vëmendjen e opinionit publik australian duke vënë në pah problemet e asaj kohe lidhur me emigrantët. Ai është autor i 88 dramave dhe veprave letrar. Veprat e tij janë vënë në skenë në Australi, Angli dhe Amerike dhe sot konsiderohet si një ndër pionierët e Rilindjes së dramës australiane dhe më gjerë të letërsisë anglishtfolëse.

 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

 
 

Në vitin 1972, Aleks Buzos iu dha “Medalja e Artë në Letërsi” e Shoqërisë Australiane për dramën e tij “Macquarie”. Aleks Buzo në karrierën e vet përfshin shumë gjini letrare, drama dhe romane, skenare filmash, artikuj, intervista në radio si dhe përshkrime udhëtimesh. Ka dhe disa libra mbi sportin, gjuhën dhe teatrin. Shkrimet e tij variojnë mbi një gamë të gjerë subjektesh, ai ka qenë mjaft i kërkuar nga gjithë gazetat, revistat dhe radiostacionet më të famshme australiane. Në vitin 2005, iu dha një dekoratë “Nderi i Shkronjave” në Universitetin e New South Wales për kontributin e tij në letërsinë australiane.
Aleks Buzo vdiq në Sidnej më 16 gusht të vitit 2006 në moshën 62 vjeçare, pas një beteje gati 5 vjeçare me kancerin. Vepra e tij e fundit është “Legends of the Baggy Green”, e cila i dedikohet sportit të kriketit, një nga pasionet më të mëdha të jetës së këtij shqiptaro-australiani të njohur.
Biblioteka pranoi nga z. Kiçmari gjashtë nga veprat e Aleks Buzo-s:
Norm and Ahmed (Norm dhe Ahmed), 1968;
Macquarie, 1971;
Tautology (Tautologji), 1981;
The search for Harry Allway (Kërkimi për Harry Allway), 1985;
Glancing Blows (Rregëtime të Rrahurash), 1987;
Legends of the BAGGY GREEN (Legjendat e Bagit te Gjelbër), 2004.

Z. Kiçmari u shpreh se ky donacion është pikënisje e kontributit të tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij në prurjen në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës të materialit të shtypur dhe audiovizual që dokumenton historinë dhe jetën e shqiptarëve në kontinentin e Australisë.

 
 
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014