» Biblioteka Kombëtare e Kosovës kremton 80-vjetorin e themelimit

     
 
 

Prishtinë, 25 nëntor 2024

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, të hënën, në një ceremoni festive, shënoi 80-Vjetorin e themelimit të saj.
Në këtë ngjarje kulturore u kujtuan hapat e parë të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, vënia e gurëthemelit dhe përurimi i objektit të sotëm të bibliotekës, përpjekjet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe përballimi i sfidave historike, e të cilat janë vetëm disa nga të veçantat e këtij rrugëtimi që shënoi ndërtimin dhe forcimin e identitetit kulturor dhe intelektual të Kosovës.
Të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore ishin personalitete kulturore, politike, dashamirës të artit e të kulturës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në fjalën e tij përshëndetëse, Bibliotekën Kombëtare të Kosovës e vlerësoi si një testament të qëndrueshmërisë së intelektit dhe shpirtit të popullit shqiptar, ku për tetë dekada është mbrojtur fjala e shkruar, kujtesa e kombit dhe e ardhmja e trashëgimisë sonë kulturore.
Ndërsa falënderoi stafin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe të gjithë brezat e intelektualëve, studiuesve dhe lexuesve, që kanë kontribuar në udhëtimin e përbashkët tetëdhjetëvjeçar, z. Kurti theksoi mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhënë Bibliotekës, duke nënvizuar krijimin e Qendrës së Digjitalizimit dhe pasurimin e koleksioneve me mbi 76,000 njësi të reja librash.
Kryeministri Kurti bëri të ditur se, në bashkëpunim me arkitektin e Bibliotekës, akademikun Andrija Mutnjaković, ndërtesa e Bibliotekës shumë shpejt do të futet në renovim të tërësishëm.
Arkiv të dijes, vend në të cilin ne arkivojmë njohuritë tona njerëzore, e konsideron Bibliotekën kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Bardh Rugova. Ai shtoi se kur flitet për trashëgiminë, Biblioteka mund të shihet vetëm si një objekt, e mund edhe t’i jepet vlera e një tempulli, por që, sipas tij, Biblioteka është institucion i vlefshëm, i rëndësishëm, dhe kujdesi ndaj saj është obligim i këtij brezi dhe i brezave që do të vijnë.
Drejtorja e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, znj. Blerina Rogova Gaxha, e cilësoi jetik rolin e Bibliotekës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe intelektuale të Kosovës. Duke vlerësuar se vizioni i Bibliotekës për të ardhmen kërkon zgjerim dhe gjithëpërfshirje, znj. Gaxha shtoi se Biblioteka, për të mbetur shtyllë e të mësuarit dhe kulturës, duke zgjeruar shtrirjen dhe qasshmërinë, me koleksionet e saj dixhitale, burimet në internet, dhe adaptimin me programet inovative, po përpiqet t’i përshtatet evoluimit teknologjik.
Në 80-Vjetorin e themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, znj. Gaxha kujtoi vizionarët që hodhën themelet e këtij institucioni, përkushtimi i të cilëve, siç tha ajo, na ka dhënë një thesar njohurish që vazhdon të na e pasurojë jetën.
Në këtë ceremoni të kremtimit të themelimit të Bibliotekës, ishte i pranishëm arkitekti që e konceptoi dhe realizoi ndërtesën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Andrija Mutnjaković. Më këtë rast, në emër të Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, anëtarja e Këshillit, znj. Ervina Halili, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për konceptimin e një hapësire konservuese për trashëgiminë intelektuale të Kosovës, i ndau z. Mutnjaković Çmimin Jubilar “Pjetër Bogdani”.
Akademiku Mutnjaković, në fjalën e tij, shprehu falënderimin për besimin e dhënë për projektimin e Bibliotekës, si dhe, siç tha ai, për ruajtjen dhe kujdesin që ndërtesa e Bibliotekës, e ndërtuar rreth katëdhjetë vite më parë, të jetë e njëjta, ashtu siç e kishe projektuar.
Për nder të 80-Vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, të hënën, u transmetua dokumentari “Biblioteka Kombëtare e Kosovës, 80 vjet”, përgatitur nga Radio Televizioni i Kosovës, që paraqet rrugëtimin e Bibliotekës ndër vite. Temat e përfshira në këtë dokumentar janë:
- Themelimi i Bibliotekës Kombëtare (1944)
- Ndërtimi i godinës së Bibliotekës Kombëtare (1982)
- Roli dhe rëndësia e Bibliotekës Kombëtare në kontekstin kulturor e historik
- Rëndësia e objektit për trashëgiminë kulturore të Kosovës
- E ardhmja e një biblioteke kombëtare karshi evoluimit të ndryshimeve sociale
80-Vjetori i themelimit e gjen Bibliotekën me Qendrën e Digjitalizimit, si një ndër të arriturat kryesore në proceset transformuese të Bibliotekës. Me qëllim përmbushjen e objektivave strategjike, Biblioteka këtë vit e ka zhvilluar Platformën e Bibliotekës Digjitale, e cila, përmes teknologjive të avancuara të informacionit, do të ofrojë qasje të lehtë dhe të shpejtë në objekte digjitale.
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Bibliotekës, u prezantua Platforma Digjitale.
Në ceremoninë “Dita e Bibliotekës, ashtu siç është traditë, u dha Çmimi për Punëtorin e Dalluar, i cili çmim, këtë vit iu dha znj. Diana Topalli, të Departamentit të Koleksioneve të Veçanta.
Poashtu, në këtë Ditë, në shenjë falënderimi për kontributin dhe punën e palodhur në Bibliotekë, Biblioteka ndau Mirënjohje për punëtorët në pension: z. Avdi Lakna, z. Hetem Ademi, z. Mehdi Jashari.
Në ceremoninë solemne të 80-Vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës janë hapur dy ekspozita:
- “80-vjet të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës: Antologji e Koleksioneve” dhe “Botimet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”
Ekspozita “Antologji e koleksioneve”, kuruar nga Hana Halilaj, paraqet botime, dorëshkrime dhe materiale origjinale nga fondi i BKK-së.
Në këtë ekspozitë paraqiten për të parën herë dorëshkrime, skica të objektit të bibliotekës, materiale audiovizuale, si dhe libra, gazeta, revista, harta e fotografi, që u takojnë zhvillimeve dhe periudhave të ndryshme kulturore e historike të Kosovës.
Ndërkohë, ekspozita “80-vjet - Botimet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” përfshin lloje të ndryshme botimesh të Bibliotekës, si: bibliografi, studime, konferenca shkencore, katalogë ekspozitash, udhëzues e literaturë profesionale, revista etj.
Pjesë e aktiviteteve të organizuara për shënimin e Ditës së Bibliotekës ishte edhe koncerti madhështor i Korit të Filharmonisë së Kosovës, i cili, me një program të pasur artistik interpretoi vepra nga kompozitorë të njohur. Programi përbëhej nga veprat: Mendi Mengjiqi “Music in the Circle”, Rexho Mulliqi Arr. Rafet Rudi “Nji lule” soprano Kaltrina Miftari, Laura Jekabsone “Kuulin äänen” Soprano Selvije Marteti, Ilvije Dragusha, Shkurtë Hykaj, Alto Diellza Sylejmani, Dea Hamdiu, Albana Piperku, veprën nga RAFET RUDI “In A” Soprano Shkurtë Hykaj, Kaltrina Miftari, Perkusione Patris Berisha, Aurora Spahiu, Piano Lekë Salihu, Aandi Duraku dhe veprën “Janinës ç’i panë sytë” Tenorë Sokol Latifi, Luan Durmishi.


 

 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

 

 
     
 
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014