» UDHEHQËSI I SEKSIONIT PËR KULTURË I AMBASADËS GJERMANE NË KOSOVË - Z. MARTEN MENGER VIZITOI BIBLIOTEKËN KOMBËTARE TË KOSOVËS

     
 
 

Prishtinë, 24 janar 2017

Udhëheqësi i Seksionit për Kulturë i Ambasadës Gjermane në Kosovë - z. Marten Menger, vizitoi sot Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Në këtë vizitë, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Fazli Gajraku e informoi për zhvillimet në bibliotekë dhe për aspekte të veçanta të këtyre zhvillimeve. Në këtë takim u diskutua për vështirësitë që BKK ka në ruajtjen dhe zhvillimin e koleksioneve, përkatësisht për sigurinë dhe kushtet fizike dhe klimatike të depove ku gjenden koleksionet e bibliotekës.

 

 
 

Z. Gajraku paraqiti nevojën për ta përkrahur bibliotekën nëpërmjet programeve të veçanta në fusha të caktuara bibliotekare, me ekspertë të fushës bibliotekare që do të mund të ndihmonin bibliotekën në këtë fazë të zhvillimit profesional të saj.
U diskutua, po ashtu, edhe për gatishmërinë për të realizuar aktivitete që promovojnë kulturën e të dy vendeve. U tha se Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka në planet e aktiviteteve të saj organizimin e aktiviteteve që promovojnë kulturën gjermane.
Z. Marten Menger u shpreh i gatshëm për ta përkrahur Bibliotekën Kombëtare në projektet e saj. Gjithashtu, shprehu vullnetin edhe për të përkrahur aktivitetet promovuese që Biblioteka pritet t’i organizojë. Ai shfaqi vullnetin e tij dhe të institucionit që përfaqëson, për të asistuar në thellimin e bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës me institucionet kulturore gjermane.