» Mr. Sc. Bedri Zyberaj është zgjedhur sërish drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”
         
 

Prishtinë, 3 tetor, 2014

Pas rishpalljes së konkursit për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe pas ndjekjes së procedurave përkatëse të intervistimit me shkrim dhe me gojë të të gjithë kandidatëve që kanë aplikuar për pozitën e drejtorit të BKK –së, Këshilli Drejtues i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, më datë 3 tetor 2014 ka marrë vendim për zgjedhjen e Bedri Zyberajt drejtor.

Të dhëna për Mr. sc. Bedri Zyberaj

Mr. Sc. Bedri Zyberaj lindi më 6.5.1963 në Drenoc të Rahovecit. Shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje, ndërsa atë të mesëm në Rahovec. Studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës i ka mbaruar më 1988 me notën mesatare 9.53. Tri vjet ka qenë bursist i Universitetit dhe në vitin e fundit të studimeve është shpërblyer me Mirënjohjen “Student i dalluar”. Po atë vit që i ka regjistruar studimet postdiplomike, pas dy vjetësh i ka kryer pjesën dërrmuese të provimeve.

Për shkak të diferencimit të atëhershëm ideopolitik, deri më 1993 ka qenë i papunë. Vetëm në vitin 1993 ka filluar të punojë në fshatin e tij të lindjes në detyrën e arsimtarit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, punë të cilën e ka vazhduar deri më 1998. Gjatë viteve 1998-1999 ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe epror i saj, ndërsa pas përfundimit të luftës ka qenë i sistemuar në Akademinë e Mbrojtjes “Hamëz Jashari” në Prishtinë, me detyrën e pedagogut të lëndës Formim atdhetar. Paralelisht me këtë ka qenë edhe Shef i Shkollës për Oficerë të Lartë. Më 2003, në Universitetin e Prishtinës, e ka mbrojtur temën e magjistraturës me titull ,,Fenomeni i luftës në romanet ‘Për kë bie kambana’ të Ernest Heminguejt dhe ‘Hasta la vista’ të Petro Markos” dhe ka marrë gradën shkencore Magjistër i shkencave filologjike.

Nga viti 1990 e më tutje ka botuar një mori shkrimesh (kritike dhe recensione) brenda dhe jashtë Kosovës si dhe ka marrë pjesë me kumtesa e referate në tryeza e simpoziume dhe konferenca të ndryshme shkencore brenda dhe jashtë shtetit të Kosovës (Shqipëri, Poloni), ku është paraqitur me një kulturë dhe nivel të kënaqshëm shkencor.

Më 1998 ka botuar librin me poezi “Dromca vitesh”.
Është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës.

Nga 23 nëntori 2009 ka qenë Këshilltar për media dhe marrëdhënie me publikun në PTK (Postë Telekomunikacionin e Kosovës).

Në maj të vitit 2013 ka botuar librin me kritika dhe studime “Në gjurmë të arketipave”, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës.


 

Mr. Bedri Zyberaj
Drejtor i Bibliotekës Kombëtare
të Kosovës "Pjetër Bogdani"

 

 
» LAJME TJERA ...
 
 
» Biblioteka Kombëtare pasurohet me koleksione të rralla
» Këshilli Drejtues cakton zt. Bedri Zyberaj u.d. të drejtorit
» 69 Vjet të Tempullit të Dijes
» “Java e Bibliotekës në Kosovë” ka krijuar një traditë
» Guri i gdhendur ‘flet’ shqip
» BKK “Pjetër Bogdani” dhe Arkivi i Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
 
     

 

 
         
 

 

     
         

 
     
     
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014