|
Prishtinë, 25 nëntor 2013
Në një ceremoni solemne, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës ka shënuar 69 vjetorin e themelimit të saj. Në fjalën e saj përshëndetëse, Ramize Baraktari, ushtruese e detyrës së drejtorit të BKUK-së ka potencuar se, për kaq kohë, mijëra intelektualë të Kosovës u formuan nga qëndrimi në këtë bibliotekë e po ashtu mijëra krijuan vepra që ruhen në këtë bibliotekë. Pra, sipas saj, këtu do të gjejmë fillesat e mendimit të intelektualëve të parë të Kosovës dhe të intelektualëve që po krijojnë edhe tash në Kosovë.
Sipas Bajraktarit, nga atëherë e gjer më tash, breza të tërë shqiptarësh që kanë punuar në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, kanë bërë çfarë kanë mundur e si kanë ditur në përhapjen dhe qëndrueshmërinë e kulturës së Kosovës me materialet që janë mbledhur, përpunuar dhe ruajtur dhe – edhe më, do të vijojnë t’ia dalin me sukses që të ruajnë gjithçka që e dokumenton trashëgiminë e kulturës e të dijes në Kosovë.
Ajo ka shprehur zotimin e saj se punëtorët e këtij institucioni janë krenarë dhe të nderuar që, pas lirisë së Kosovës dhe pavarësisë së saj, mund të punojnë në ruajtjen e vlerave kombëtare nëpërmjet pasurimit dhe zhvillimit të koleksioneve të bibliotekës, porse përtej të qenit krenarë dhe të nderuar, duhet të luftojnë me kohën që të mos na ikën një dokument e një dokumentim i vlerave sublime të Kosovës që janë duke u krijuar.
Ndërkohë që, zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Nehat Mustafa tha se “Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës dhe Arkiva Shtetërore” janë dy prej institucioneve më të rëndësishme ku ruhet historia jonë, trashëgimia dhe vlerat kombëtare të kombit tonë dhe për të cilat shprehi gatishmërinë që të ketë përkrahje institucionale.
Ibrahim Gashi, rektor i Universitetit “Hasan Prishtina” të Prishtinës, në fjalën e tij, me rastin e këtij solemnitetit, është shprehur se Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës kanë një histori të përbashkët, që i bënë të pandashme këto dy institucione.
Rektori Gashi, ka rikujtuar nënshkrimin e marrëveshjes midis Universitetit të Prishtinës dhe BKUK-së për ndarjen e Bibliotekës Kombëtare dhe asaj Universitare, marrëveshje kjo që do të fillojë të zbatohet më 3 janar të vitit 2014, e që sipas tij do të jetë vetëm një ndarje fizike dhe se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të librit do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe pjesa artistike dhe ajo e evokimeve të kujtimeve nga ish-punëtorët e BKUK-së.
Derisa Sevdije Ahmeti ish-punëtore shumëvjeçare e këtij institucioni ka evokuar kujtime nga puna dhe sfidat që e kanë përcjellë këtë institucion, aktorja Rabije Kryeziu me deklaminin artistik të poezive kushtuar bibliotekës nga autorët, si: Bedri Hysa, Sabri Hamiti, Ragip Sylaj, Izet Abdylit dhe Tahir Foniqit, ka sjellë emocione me vargjet e këtyre poetëve.
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, me rastin e Ditës së Bibliotekës, ka dhënë çmimin Punëtor i Dalluar për vitin 2013. Ky çmim, këtë vit iu dha punëtores së Departamentit të Zhvillimit të Koleksioneve - zonjës Jehona Halili. Kurse, për kontributin dhënë ndër vite, në këtë institucion, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës pesë ish- punëtorëve të pensionuar (Shyqyri Haliti, Sabile Halili, Isuf Ismaili, Hilmi Krasniqi dhe Belgjyzare Rexhepi), me rastin e kësaj dite, u ndau nga një dhuratë.
|
|
|
|