» “Java e Bibliotekës në Kosovë” ka krijuar një traditë
         
 

Prishtinë, 14 prill, 2014

Në këtë aktivitet ndër të rëndësishmit kulturor në vend për gjatë një jave do të ketë ligjërata, donacione, promovime librash dhe ekspozita, si dhe do të shtrijë aktivitetet e veta edhe në qytete të tjera të Kosovës me hapjen e bibliotekave të reja.
U.d. e drejtorit të BKK “Pjetër Bogdani” Ramize Bajraktari në fjalën e saj përshëndetëse ka vlerësuar se, “Java e Bibliotekës në Kosovë” ka krijuar një traditë të cilën e ka mbajtur të gjallë Ambasada Amerikane në Prishtinë.
“Afër tridhjetë ekspertë të fushave të ndryshme për këto dymbëdhjetë vite kanë dhënë kontributin e tyre dhe kjo për ne ka domethënie të veçantë” ka vlerësuar zonja Bajraktari.
Ndërkaq ministri i Kulturës, Memli Krasniqi ka potencuar avancimin e teknologjisë gjithandej globit, por që sipas tij, prapë se prapë është e pamundur ta zëvendësojë ndjesinë dhe aromën e fletëve të librit të printuar. Sipas tij, “Biblioteka e ruan librin, e arkivon materialin e tij dhe i ofron ato për publikun, pra ato rrëfenja me shkronja e me fotografi ecjen e një populli, janë diçka fisnike” ka thënë ministri Krasniqi në fjalën e tij përshëndetëse.

Të pranishmit të këtë aktivitet i kanë përshëndetur edhe Zëvendësdrejtori i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Kanishka Gangopadhayay, Muhamet Mala, përfaqësues i UP-së, ish Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z.Islam Lauka si dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, dr. Aurel Plasari.
Do theksuar se z. Kanishka në fjalën e tij përshëndetëse, ka vlerësuar punën e Këndit Amerikan në BKK ndër më të suksesshmit në rajon e ndoshta edhe në Evropë.
Pjesë e aktivitetit të kësaj dite ishte edhe hapja e Ekspozitës “200 Vjet të Jeronim De Radës” (Veprat e De Radës në fondin e BKK-së”, kurse në aktivitetet e pas ditës u mbajtën ligjërata nga Janet Crayne, Bibliotekare për studime sllavistike, të Evropës Lindore dhe Euroazisë, nga Biblioteka e Universitetit të Miçiganit, SHBA, (“Zhvillimi i koleksioneve që bazohet në politika, procedura dhe fleksibilitet”, pastaj Etleva Domi, Zëvendësdrejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë , (Zhvillimi i koleksioneve në mediumin elektronik) dhe Nehat Krasniqi BKK, ( Problemet e pasurimit të Koleksioneve të Veçanta).

Edhe kësaj radhe, sipas traditës tashmë të krijuar, BKK “Pjetër Bogdani” ka ndarë mirënjohje për persona dhe institucione që kanë dhënë kontribut për zhvillimet dhe pasqyrimin e punës së BKK “Pjetër Bogdani”.

Me mirënjohje janë nderuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ish Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Islam Lauka, Besart Galica gazetar i RTV 21 për përcjellje të veçantë të aktiviteteve të BKK-së si dhe për lexuesin e dalluar, studentin Demokrat Selimaj, Fakulteti Juridik (master). A. Z.

 

 

 

 
» LAJME TJERA ...
 
 
» Mr. Bedri Zyberaj drejtor i Bibliotekës Kombëtare
» Biblioteka Kombëtare pasurohet me koleksione të rralla
» Këshilli Drejtues cakton zt. Bedri Zyberaj u.d. të drejtorit
» 69 Vjet të Tempullit të Dijes
» “Java e Bibliotekës në Kosovë” ka krijuar një traditë
» Guri i gdhendur ‘flet’ shqip
» BKK “Pjetër Bogdani” dhe Arkivi i Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
 
     

 

 
         
         
         

 
     
     
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014