|
|
|
Fjala e Ambasadorit Dr. Johan Brieger, Ambasador i Republikës së Austrisë në Prishtinë, me rastin e hapjes së Ekspozitës personale të skulptorit shqiptar Destan Gashi “Legjenda e Rozafës dhe histori të tjera në gur” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” me 16 prill 2014.
Shumë i nderuar zoti ministër Makolli, shumë e nderuar zonja Bajraktari, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare, dhe shumë falemnderit që pranuat t’i ekspozoni veprat e skulptorit në Bibliotekën Kombëtare, përshëndes prof. Adem Rusinovcin, Dekan i Akademisë së Arteve në Prishtinë dhe natyrisht miqtë tanë të nderit sot:
Destan GASHIN, artist dhe biri që po kthehet pas një kohe të gjatë në shtëpi bashkëshorten e tij, Barbara GASHI, piktore, pra gjithashtu artiste dhe Guri GASHIN, djalin e tyre, që përfaqëson gjeneratën e ardhshme të artistëve dhe që s’duhet harruar!
Shumë të nderuar zonja dhe zotërinj!
Jam shumë i lumtur që po marr pjesë sot në hapjen e ekspozitës së Destan Gashit dhe gruas së tij, Barbara, në këtë vend të veçantë, siç është Biblioteka Kombëtare e Prishtinës.
Pata nderin ta njoh familjen Gashi korrikun e kaluar dhe qysh atëhere kemi qenë vazhdimisht në kontakt. Qysh atëhere ndihej dëshira e madhe për të ekspozuar më në fund njëherë edhe në vendlindje punët e tij të mrekullueshme. Sot ia kemi arritur këtij qëllimi. Djali plangprishës është kthyer! (Biri i humbur është kthyer në shtëpi!).
Kjo i kushtohet në radhë të parë durimit dhe këmbënguljes së Destanit dhe Barbarës, një veti që te Destani është shfaqur që në vitet e rinisë. Kur s‘qe më e mundur ta zhvillonte talentin e tij artistik në Pejë, e la vendlindjen dhe shkoi në Slloveni e më vonë në Itali, ku e siguronte me vështirësi jetesën me punë të rastit derisa e zuri policia. Pasi kaluan gjashtë muaj ai u shkroi prindërve se do të kthehej vetëm nëse do ta lejonin që të studionte në Shkollën e Mesme Artistike të Pejës. Mbas përfundimit me sukses të maturës, prindërit shpresonin që Destani do të zinte vendin e mësuesit të vizatimit në shkollën e fshatit. Por jeta kishte parashikuar diçka tjetër për të. Destani kishte dëgjuar nga njëri prej mësuesve të tij për Akademinë e Arteve në Bruksel, Academie des Beaux Arts, dhe donte të studionte patjetër atje. Ai konkurroi, u pranua, iu kushtua fillimisht pikturës dhe përfundoi në vitin 1985 degën e skulpturës si më i miri i klasës.
Në Bruksel ai njohu dhe u dashurua edhe me gruan e tij të mëvonshme, Barbarën, dhe ata jetojnë e punojnë që prej vitit 1987 me shumë sukses në Austri.
Përse po jua tregoj këtë histori? Sepse ajo është për mua sinonimi i një jete që me siguri nuk ishte aq e lehtë. I bindur thellë për aftësitë e tij, talenti dhe pasioni për artet figurative e bënë Destanin (dhe më vonë së bashku me Barbarën) të kapërcejë shumë sfida! Ishte vetëm kjo kokëfortësi dhe dëshirë e papërmbajtshme, që na lejon neve sot të admirojmë frytet e mrekullueshme të këtij pasioni.
Kur Destani flet për punën e tij, ke përshtypjen që mermeri, të cilin zakonisht e mendojmë si diçka të ftohtë, fiton jetë. Vetë zgjedhja e bllokut të duhur të mermerit në gurore, kërkimi i ngjyrës dhe mostrës së duhur, duket sikur janë përpjekje për t’i vjedhur dashurinë dikujt me të cilin do të bashkëjetojë në të ardhmen!
Destani ka tashmë një ide të përcaktuar që më parë se si do të duket në fund vepra e tij. Me sa duket është një sekret i fshehur mirë midis gurit si lëndë e parë e artistit dhe vetëm përkushtimi i paanë i Destanit për këtë detyrë e nxit gatishmërinë e partnerit, domethënë të gurit, hap pas hapi, shtresë pas shtrese që ta tregojë sekretin e tij dhe ta pranojë këtë marrëdhënie me artistin.
Kur shikon skulpturën e Rozafës, ke pikërisht këtë ndjenjë: të duket sikur Rozafa e ngurosur ka pritur vetëm Destanin që ta çlirojë dhe ta bëjë të kapshme për ne të gjithë. Legjenda e Rozafës, ashtu si kali i Doruntinës, me demonstrimin e konceptit të Besës, të fjalës së nderit të shqiptarëve, janë për mua simboli i rrënjëve të thella që ka Destani në atdheun e tij.
Prandaj është një gëzim i jashtëzakonshëm që kjo ekspozitë e Destanit, e mbështetur nga pikturat me ngjyra shumë të fuqishme të Barbara Gashit, po shfaqet sot në Prishtinë dhe shpresoj së shpejti edhe në Prizren. Destan dhe Barbara Gashi janë për mua edhe ndërtues perfektë urash lidhëse midis dy shoqërive tona. Prandaj një falenderim i veçantë nga ana ime i drejtohet edhe Ministrit të Diasporës, z. Ibrahim Makolli, për të cilin e di fare mirë që është angazhuar shumë edhe personalisht për realizimin e këtij projekti.
Unë u uroj Barbara dhe Destan Gashit shumë suksese edhe në të ardhmen, përjetime të bukura në vendlindje dhe juve të gjithëve shumë kënaqësi gjatë vizitës së këtyre veprave të mrekullueshme!
Ju faleminderit! |
|