»"Kosova - nga historia në shtetësi"
BKK shënoi 10-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

     
 
 

Prishtinë, 17 shkurt 2018

Biblioteka Kombëtare e Kosovës "Pjetër Bogdani" shënoi 10-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me veprimtarinë "Kosova - nga historia në shtetësi". Programi i përgatitur përfshiu disa komponentë dhe kujton një udhëtim prapa të Kosovës nga viti 1912.
Biblioteka, për të shënuar këtë ditë, prezantoi materiale të përzgjedhura të paraqitura në katër ekspozita të ndryshme. Në hapje të kësaj veprimtarie, drejtori Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Fazli Gajraku, u shpreh se kultura e Kosovës që po grumbullohet e ruhet, por edhe ajo që u ekspozua me këtë rast, është një përpjekje për t'a bërë Bibliotekën Kombëtare një depo të madhe të kujtesës dhe përmbajtjes kombëtare të shtetit të Kosovës: për të krijuar një koleksion që të vlejë si dokumente më të rëndësishme për historinë e "atdheut tonë Kosovës". Gajraku shtoi se imtësitë në bibliotekë, duhen marrë për të mëdha, sepse me imtësi civilizimit të kombeve i janë ruajtur vepra të mëdha. Sipas Gajrakut, ky përvjetor duhet të jetë shtysë e fortë efikase për të grumbulluar dhe ruajtur kulturën dhe kujtesën e Kosovës njësi për njësi e vjet për vjet, jo vetëm në formën e shkrimit sistematik por edhe të rrëfimit e filmit.
Ekspozita e librit "Libri për historinë e Kosovës 1912 - 2018" paraqiti tituj të zgjedhur të librave të koleksionit të Bibliotekës Kombëtare që përfshin botime për Kosovën nga fusha e historisë politike, historisë ushtarake, historisë kulturore, histories intelektuale, historisë religjioze e historisë sociale. Ajo zbulon një pjesë të rëndësishme të informacionit në kërkimet historike për Kosovën që jep të kuptohet se si Kosova nga një temë e mbyllur vjen e bëhet e njohur për kultura e autorë të gjuhëve të ndryshme.
Ekspozita "Kosova e 10-të Vjet Pavarësi" prezantoi artikuj të gazetave ditore shqip të Kosovës, me lajmet dhe ngjarjet më të rëndësishme që e veçojnë këtë dhjetëvjetësh historinë e Kosovës së pavarur - sidomos atë politike, por edhe atë ekonomike, kulturore e sportive.
Ekspozita: "Eksodi 1999" prezanton artikuj të zgjedhur të gazetave ditore të Shqipërisë që janë pjesë e koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Një tërësi artikujsh që japin dramën njerëzore të shqiptarët të përndjekur të Kosovës në vitin 1999 dhe mikpritjen dhe përkrahjen që morën në Shqipëri. Ekspozita e këtyre artikujve është mundësuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, veçanërisht drejtoresha Persida Asllani.
Ekspozita: "Shkruajmë dhe vizatojmë për Pavarësinë e Kosovës" është një prezantim i punimeve të nxënësve të shkollës "Pavarësia" që për 10 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës kanë shprehur imagjinatën e tyre për dëshirat dhe pritjen që kanë për shtetin e tyre. Këto punime do të bëhen tashmë pjesë e trashëgimisë - e ruajtur në koleksionin e veçantë të Bibliotekës Kombëtare. Në hapje të ekspozitës, kjo iniciativë dhe ky bashkëpunim u përshëndet edhe nga drejtori i kësaj shkolle, z. Shefki Rusinovci.
Në fund, u ndanë çmimet për esetë më të mira për 10-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, për konkursin e shpallur nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës me mbështetje të Presidencës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Juria vlerësuese, në përbërje të Prof. Anton Nikë Beshisha, Prof. Lindita Tahiri dhe Prof. Nysret Krasniqi, ndau çmimet për tri esetë më të mira. Denis Hyseni u shpërblye me çmimin e parë, Gentiana Azemi me çmimin e dytë dhe Erzë Koca me të tretin. Me këtë rast, juria u bëri thirrje edhe studentëve të tjerë që të marrin pjesë në konkurse të tilla në të ardhmen.
Ekspozitat do të jenë të hapura për vizitorët deri më 22 shkurt 2018.

 

Kosova10

Kosova10

Kosova10

Kosova10

Kosova10

Kosova10

Kosova10

 
     
 
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014